Zjarret që kanë shkatërruar pyjet janë një fenomen që po shqetëson Europën edhe këtë verë. Sipas komunitetit shkencor ndërkombëtar, intensiteti dhe shtrirja e zjarreve është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë viteve të fundit, si pasojë e ndryshimeve klimatike që kanë ndryshuar tërësisht të gjithë Europën.
Por tani situata ka ndryshuar dhe zjarret që ne dikur i kemi parë në vende si SHBA-ja dhe Australia, po i shohim në vende të ndryshme të Mesdheut. Tashmë, ky fenomon ka prekur edhe Francën, ku mijëra njerëz në 24 orët e fundit janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në të njejtën kohë, zjarret e mëdha kanë shkaktuar probleme të mëdha në Spanjë dhe Portugali si edhe në zona të tjera të pjesës jugore të Europës.
Në veçanti, ajo që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në Francë, e cila konsiderohet si një nga vendet më të organizuara në parandalimin dhe trajtimin e zjarreve, është, sipas ekspertëve, prova më e madhe se sa i cenueshëm është bërë tani Mesdheu ndaj ndryshimeve klimatike.