Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se janë vënë nën kontroll flakët në drejtimin e Palasës ndërsa vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarrit në drejtimin e Himarës. Zjarri i rënë në “Palikonjë” në Malin e Çikës vijon të jetë aktiv prej pesë ditësh dhe dje nisi operacioni për shuarjen e flakëve, me angazhimin e forcave të ushtrisë dhe zjarrfikësve lokalë.
“Vijojnë prej orësh përpjekjet nga toka dhe ajri për të shuar flakët në të vetmen vatër që kemi në të gjithë territorin e vendit, atë në Malin e Çikës. Zjarri është vënë nën kontroll nga drejtimi i Palasës dhe po vijon puna në pjesën tjetër në drejtim të Himarës. Falë reagimit të shpejtë gjatë 24 orëshit të fundit janë shuar 11 vatra zjarri në qarqet e Fierit, Tiranës, Korçës e Shkodrës. Mirënjohje efektivëve të FA, forcave zjarrfikëse, por edhe vullnetarëve të angazhuar. Falenderime Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për përgjigjen në kohë të shpejtë dhe ndihmën e dhënë.
Një thirrje për të gjithë qytetarët: Ruani mjedisin, ruani veten dhe të tjerët, duke bërë kujdes me ndezjen e zjarreve! Zjarrvënia e qëllimshme dënohet dhe përgjegjësit do të shkojnë para drejtësisë! – shkruan ministri Niko Peleshi.