Nga Edi Rama
Të dashur miq e të ftuar, sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falenderoj shumë, që jeni këtu me mua, për ceremonialin e ngritjes së flamurit të Bashkimit Europian, pas çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Familjen e Bashkuar Europiane. Prania e juaj këtu është më shumë se sa një prani protokollare, sepse ju dhe institucionet që përfaqësoni, jeni drejtëpërdrejtë kontributorë në ndërtimin e rrugës europiane të Shqipërisë. Ngritja e këtij flamuri, sot, në selinë e kryeministrisë, shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, po edhe me të ardhmen e saj, me institucionet, liritë e të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim. Por ky moment shënon edhe ngritjen në një tjetër nivel detyrimesh, të marrëdhënieve të shoqërisë e të qytetarit shqiptar në raport me vlerat, parimet, standartet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike.
Do të kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu edhe opozita, jo thjesht sepse jo gjithçka është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse, ky niveli i ri i marrëdhëniesh i Shqipërisë me Bashkimin Europian, natyrshëm kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Mirëpo sot për sot opozita ndodhet në një hendek të madh, mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën e me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është e damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë. Këta të dytët edhe kur i fton nuk vijnë, sepse kanë frikë nga të parët, kështu që hëpërhë do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë, se gjë tjetër s’bëjmë dot edhe të duam.
Të them të drejtën, do të kisha dashur shumë po ashtu, që përveç ftesës protokollare dhe fjalëve të mirëseardhjes, të mos ishte nevoja të bëja më shumë se aq në drejtim të miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mirëpo rruga e mundimshme, kthesat e ndalesat e saj, të tatëpjetat e vështira e rrëshqitjet e pashmangshme përgjatë saj, më bënë më shumë se njëherë dëshmitar të faktit se kjo arritje historike, do të mund të mendohej pa ndihmën e tyre, aq sa ç’mund të mendohet Reforma në Drejtësi pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Ideja se Shqipëria e shqiptarët mund të bëjnë edhe pa ata, mund të nxjerrin dhëmbët e ndryshkur të një sovranizmi katundaresk dhe t’i rihipin kalit të Xhike Qamilit, për ta katandisur Shqipërinë në leckën që fshin njollat e mëkateve të tyre, është thjesht shembëlltyra e marrëzisë ballkanike që bie ndesh me gjithçka Bashkimi Europian mishëron si vizion i së ardhmes, si frymë lirie, paqeje e sigurie dhe si gërmë e rendit ligjor të shoqërisë. Unë e di mirë se mes përfaqësuesve të vendeve mike e aleate këtu të pranishme, ka disa që i gëzohen kësaj arritjeje historike, më shumë se sa disa syresh mes gjindjes sonë, që nxijnë si shpirti i tyre. Prandaj edhe jo vetëm dua t’i falenderoj sot me mirënjohje e konsideratë të veçantë, për gjithçka bënë, pa u lodhur, që negociatat për anëtarësim të hapen dhe Shqipëria të ngjitet më lart në rrugën drejt majës ku populli shqiptar meriton, po dua edhe t’u kërkoj ndjesë, për gjithë çfarë u kanë dëgjuar veshët nga gojët e shthurrura të Shqipërisë. Kujtoj këtu sot me respekt të veçantë, ambasadoren Romana Vlahutin e ambasadorin Donald Lu, si edhe ambasadorin Luigi Soreca, emrat e të cilëve lidhen pazgjidhshmërisht me këtë sukses historik të Shqipërisë.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Dikush mund të thotë se sot mund t’i evitoja disa prej fjalëve që thashë, por jo, nuk e pata të mundur, sepse ngritja ceremoniale e flamurit të Bashkimit Europian në ballë të kësaj godine, nuk simbolizon fundin e një beteje historike si kjo për Shqipërinë Europiane, po vetëm përshkallëzimin e saj. Nga sot rruga jonë nuk bëhet më e lehtë, po shumë më sfiduese dhe përballja me plagët e me hijet e së shkuarës, e cila kërkon ende përpjekje të mëdha për t’u fituar përfundimisht, hyn në një fazë të re. Fryma e ndryshimit hyn në një thellësi të re. Aftësitë për ndryshim hyjnë në një sprovë të re. Energjia, vendosmëria dhe durimi ynë, hyjnë në një test të ri.
Ligji dhe drejtësia hyjnë në një shkallë të re vështirësie, e duke i falenderuar për praninë e tyre, si kontributorë të pazëvendësueshëm në ndërtimin e kësaj rruge të atdheut drejt të ardhmes, dua t’u them sot përfaqësuesve të drejtësisë së re, se shpejtësia e anëtarësimit të vendit të fëmijëve tanë në Familjen e Bashkuar Europiane, do të varet shumë edhe nga integriteti e puna e tyre. Mos ua mohoni për asgjë në botë fëmijëve tuaj Shqipërinë Europiane që meritojnë dhe jini të bindur se për sa kohë unë do të jem këtu, shumica qeverisëse e Shqipërisë nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj, ashtu sikundër ju nuk do të ndjeheni kurrë vetëm në luftën tuaj me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ngritja e flamurit të Bashkimit Europian në institucionet tona, do të thotë ngritje e kësaj në një nivel të ri, ashtu sikundër do të thotë dhe ngritje e qeverisjes në një nivel të ri në çdo drejtim, po edhe ngritje e frymës kritike në tërësi në një nivel të ri. Duke i falenderuar edhe mediat për punën e tyre të paçmuar, dua të shtoj sot se kjo fazë e re kërkon një mbrojtje të re të të drejtave të gazetarëve si zëdhënës të interesit publik po edhe punëmarrës. Prandaj ne do të angazhohemi në të dyja frontet, qoftë për të reflektuar mbi gabimet tona e për të përsosur vijën e sjelljes, po qoftë edhe për të ndërvepruar me shoqatat e gazetarëve, në funksion të zgjidhjes së halleve e problemeve të tyre.
Thënë të gjitha këto, lejomëni ta mbyll duke ju thënë se jam thellësisht i vetëdijshëm, që flamuri europian i ëndrrave e shpresave të shqiptare, që tani do të ngremë solemnisht, barrën më të madhe të detyrimeve e vendos mbi shumicën qeverisëse dhe posaçërisht qeverinë tonë. Të gjithë kanë kusuret e të metat e tyre, po kusuret e të metat tona lidhen me të gjithë, prandaj edhe më shumë se sa të gjithë të tjerët, ne mund të jemi edhe problemi edhe zgjidhja. Na takon ne dhe vetëm ne të zgjedhim përditë të jemi zgjidhja, duke mos e harruar asnjë ditë se përndryshe mbetemi problemi.
Unë nuk do të isha këtu sot nëse nuk do ta kisha besuar qysh ditën e parë të ngjitjes në të përpjetën e politikës, se Shqipëria bëhet, se ne, shqiptarët e sotëm, jo vetëm mund po dhe duhet ta bëjmë Shqipërinë, sepse ndryshe nga e tërë koha e pafundme e historisë sonë të dhimbshme, kjo kohë që na ra për hise të jetojmë mbi dheun tonë, përkon me mundësinë e artë të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian. Dhe ky rrugëtim nuk ngjan me asgjë që ne kemi jetuar në shekuj, sepse si në asnjë rrugëtim tjetër më parë, ky i yni është një rrugëtim drejt lirisë, jo robërisë, drejt paqes e sigurisë për fëmijët tanë, jo drejt luftrave e pasigurisë për hesap të të tjerëve, drejt shtetit modern demokratik të shqiptarëve, jo drejt vasalitetit apo nënshtrimit, ndaj perandorish e regjimesh që s’mundëm t’i zgjidhnim lirisht, po na u imponuan me logjikën e dhunës. Ky është rrugëtimi i parë i historisë sonë, ku ne kemi mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë, falë transferimit masiv të dijes së shtetndërtimit demokratik që është në thelb procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. I falenderoj sot me përulësinë më të thellë, të gjithë shqiptarët e shqiptaret që me besimin e tyre, më bënë një pjesë kaq të rëndësishme të këtij rrugëtimi, u kërkoj thellësisht ndjesë për gabimet e mia, duke i siguruar se asnjëri prej tyre nuk është një gabim që buron prej qëllimit për të përfituar në kurriz të tyre, dhe nga thellësia e shpirtit u them sot se kurrë s’kam qenë më i motivuar për ta merituar besimin e tyre!
Zoti i bekoftë shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë Europiane!
Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Europës pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.