Policia e Shtetit ka bërë bilancin e operacioneve të zhvilluara gjatë javës që shkoi dhe kontrolleve të ndërmarra nga policia kufitare dhe ajo rrugore. përmes një njoftimi për mediat policia thotë se në një javë ka arrestuar 109 persona, janë vënë nën hetim 338 të tjerë, ndërsa janë shpallur në kërkim 41 persona.

Janë zhvilluar 18 operacione policore të koduara: “Last game”, “Escape”, “Grab”, “Savona”, “Trade”, “Valuta”, “Bribery”, “Speed”, “Syri”, “Kanina”, “Semani”, “Lejçani”, “Horizonti”, “Intensive”, “Perimetri 188”, “Remote 2”, “Perimetri 189” dhe “Gjobardhaj”. Shërbimet e Policisë kanë vijuar përgjatë javës, kontrollin masiv të territorit, në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i kontrolleve masive në zona të thella malore dhe të pyllëzuara, falë dhe përdorimit të 32 dronëve, 1560 punonjës policie të angazhuar kanë asgjësuar 4945 bimë kanabis, të kultivuara nga autorë ende të paidentifikuara. Gjatë kësaj jave janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat: 350 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 61 për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 34 për qarkullim në sens të kundërt.

Policia Kufitare ka ndërmarrë një operacion të për bllokimin e mjeteve lundruese dhe argëtuese në të gjithë vijën bregdetare, nga Ksamili në Durrës, me qëllim verifikimin për dokumentacionin përkatës. Gjatë javës janë bllokuar 27 mjete lundruese: “Jet ski”, skafe të vogla dhe gomone, disa për verifikim të dokumentacionit, ndërsa disa të tjera për arsye se drejtuesit e tyre kanë kryer manovra të rrezikshme për pushuesit, në plazhe, pranë perimetrit të sigurisë.