Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga fluturimi mbi sheshin “Skënderbej” të dy avionëve amerikanë B52.
“Dy prej avionëve bombardues më të mëdhenj të ushtrisë amerikane, bishat B52, kryen sot një fluturim përshëndetës mbi Tiranë, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Avionët fluturuan mbi sheshin “Skënderbej” nga ora 14:45-15:00, duke dhuruar spektakël për të pranishmit.
Kjo ishte një mundësi unike për qytetarët e Tiranës për të parë fluturimin e dy avionëve.
Në sheshin “Skënderbej” e pranishme mes qytetarëve të shumtë ishte edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.
Ky fluturim i avionëve amerikanë B-52 u krye në nder të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë edhe marrëdhëniet si aleate dhe partnere në NATO.
Aeroplanët B-52, për më shumë se 60 vjet kanë qenë themeli i forcës së bombarduesve strategjikë të Shteteve të Bashkuara.