Udhëheqësit kryesorë të talebanëve po diskutonin të mërkurën se si t’i përgjigjeshin një sulmi me dron të SHBA-së në Kabul.

Ky i fundit, vrau liderin e al-Qaedas, Ayman al-Zawahiri.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar tre burime në grup.

Shtetet e Bashkuara vranë Zawahirin me një raketë të gjuajtur nga një dron ndërsa ai qëndronte në një ballkon në strehën e tij në Kabul.

Kjo ishte goditja më e madhe për militantët qëkurse Osama bin Laden u qëllua për vdekje më shumë se një dekadë më parë.

Talebanët nuk e kanë konfirmuar vdekjen e Zawahirit.

Zyrtarët e grupit islamik, aleatë të vjetër të al-Qaedas, fillimisht konfirmuan sulmin me dron të së dielës, por thanë se shtëpia që u godit ishte bosh.

Mënyra se si reagojnë talebanët mund të ketë pasoja të rëndësishme.

Kjo, teksa grupi kërkon legjitimitet ndërkombëtar dhe akses në miliarda dollarë fonde të ngrira.

Zawahiri, një mjek egjiptian, ishte i përfshirë nga afër në sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe ishte një nga njerëzit më të kërkuar në botë.

Vdekja e tij në Kabul ngre pikëpyetje nëse ai kishte strehë nga talebanët, të cilët kishin siguruar Shtetet e Bashkuara si pjesë e një marrëveshjeje të vitit 2020 për tërheqjen e forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara se ata nuk do të strehonin grupe të tjera militante.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se talebanët kishin “shkelur rëndë” marrëveshjen duke pritur dhe strehuar Zawahirin.