Ka nisur trajnimi i mësueseve të klasave të para për abetaren e unifikuar Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Arsimit Evis Kushi bën me dije se ka takuar sot mësuesit e klasave të para, teksa ka ndarë edhe një foto me kopertinën e librit. Abetarja e unifikuar është gati dhe do vogëlushët do ta kenë në duar në nisje të sezonit shkollor, me datë 12 shtator.

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.”

Më datë 1 shtator do të mbahet në Kosovë një ceremoni për prezantimin e abetares, ku e pranishme do të jetë Kushi dhe homologia e saj Arbërie Nagavci.

“Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan Kushi.

Abetarja e unifikuar vjen si zbatim i marrëveshjes së nënshkruar mes qeverive të dy vendeve.