Aktorja italiane Gina Lollobrigida, 95 vjeçe, ka vendosur të provojë sërish fatin në politikë dhe do të dalë si kandidate për Senat në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në vendin transalpin më 25 shtator.
Diva e ekranit ka siguruar se është futur në këtë aventurë elektorale pasi është lodhur duke parë sesi politikanët grinden mes tyre, pa arritur askund: “Për sa kohë që kam energji, e përdor për gjëra të rëndësishme, veçanërisht për vendin tim”.

Ylli i filmit, e cila ka shpallur kandidaturën e saj vetëm një muaj pas ditëlindjes së 95-të, do të konkurrojë me një listë të re zgjedhore, të quajtur “Italia Sovrane dhe Popullore”, e cila bashkon disa formacione të vogla si Partia Komuniste, Aksioni Civil apo Atdheu Socialist.
Ideologjia e këtij grupimi është, ndër të tjera, anti-sistem, komuniste dhe euroskeptike. Drejtuesit e eksperimentit politik janë Marco Rizzo, sekretar i Partisë Komuniste dhe Antonio Ingroia, një ish-gjyqtar kontrovers italian, i cili është edhe avokati personal i Lollobrigidës.
Ai e ndihmon atë në luftën gjyqësore që aktorja e suksesshme ndërkombëtare ka hapur me djalin e vetëm Milko Skofiç dhe nipin Dimitri për menaxhimin e pasurisë së saj. Të dy akuzojnë sekretaren personale të divës, Andrea Piazzolla, 34 vjeçe, se ka shpërdoruar pasuritë e saj duke përfituar nga mosha e shtyrë dhe gjendja psikologjike.