“Qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin”.
Ky postulat është shkërmoqur mbrëmë nga Qeveria e Kosovës në një formë spektakolare. Albin Kurti anuloi një vendim të tij vetëm pak minuta pasi hyri në fuqi dhe këtë s’ia kërkoi populli.
Teoricieni i demokracisë, Robert Putnam, thotë se esenca e demokracisë është besimi dhe ku ta gjejnë qytetarët e Kosovës këtë besim sot kur vendimet e qeverisë zëvendësohen me vendime të tjera, sepse dikujt që as nuk jeton në Kosovë nuk i pëlqejnë ato.
Të gjithë ata që një herë iu gëzuan vendimit për reciprocitet e më pas po të njëjtit e përkrahën vendimin për të mos e zbatuar, janë identikë si ata që një herë e akuzuan Kurtin se nuk u koordinua me amerikanët e më pas se u tërhoq.
E vërteta është e dhimbshme, por e thjeshtë.
Kosova e anuloi vendimin për reciprocitet, sepse kështu kërkoi Aleksandër Vuçiç.
Çdo shpjegim tjetër është me nuanca subjektive – ose për shkak të militantizimit, ose për dëshirën e vetëmashtrimit.
Komenti i ambasadorit amerikan i shpjegon të gjitha.
“Ne s’kemi problem me vendimin, por shtyjeni implementimin”.
As BE s’kishte problem me vendimin, sepse po të kishte, do reagonte kohë më parë, meqë moti Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se do të fillojë me këtë masë nga 1 gushti.
Për ata që nuk përcjellin mediat në Serbi, tabloja mund të mos jetë e qartë krejtësisht, por ja si rrodhën gjërat.
Fillimisht doli Aleksandër Vuçiç me një deklarim se ai ka shtruar kërkesën e tij tek partnerët ndërkombëtarë. Pak më vonë doli ambasadori amerikan dhe kërkoi shtyrje. Qeveria e Kosovës pranoi ta anulojë vendimin dhe më pas postoi në Twitter Miroslav Lajcak ku thoshte se është i lumtur që u mor parasysh propozimi i Josep Borell-it dhe falënderonte ambasadorin për ndihmën.
Anulimi i vendimit të brendshëm përbën ndërhyrjen më brutale të Serbisë në sovranitetin e shtetit të Kosovës qysh nga pavarësia e Kosovës.
Futjuni historisë së re dhe kërkoni. Është e pamundur të gjendet një tjetër situatë ku një vendim i Qeverisë së Kosovës anulohet, sepse i pengoi Vuçiç-it. Askujt tjetër.
Ata që duan t’ia zbusin vetës, edhe mund ta bëjnë. Mund të thonë që është vetëm një shtyrje, mund të thonë se është vetëm një pauzë. Por, e vërteta është fare e qartë. Është një anulim. Dhe pas një muaji mund të kemi një anulim tjetër.
Cili qytetar i Kosovës a ka mundësinë të anulojë vendime të Qeverisë, sepse nuk i pëlqejnë? Asnjëri.
Por, këtë fuqi në Kosovë e ka presidenti i Serbisë.
Po nuk i pëlqeu atij, vendimi anulohet.
Do diskutohet në Bruksel për këtë vendim, u tha.
Kur tjetër është diskutuar në Bruksel për një çështje kaq të brendshme të Kosovës. Për një vendim të qeverisë së Kosovës? Kur tjetër? Asnjëherë.
Albin Kurti që shpjegonte dikur se si do të donte ta dinte se çfarë është ky presioni ndërkombëtar, sepse asnjëherë nuk e ka provuar, mbrëmjen e së dielës e ka gëlltitur formën më brutale të tij.
“Ata që kanë përjetuar trysni, duhet ta tregojnë se si duket ajo trysni. Unë edhe me tutje jam kureshtar ta marr vesh se si duket trysnia ndërkombëtare. Po ka mundësi që kur nuk je i korruptuar, e nuk mund të të shantazhojnë, nuk e përjeton as trysninë”, thoshte Kurti.
Mbrëmë e përjetoi trysninë, prandaj ai dhe Qeveria e tij nga kjo natë janë të komprometuar në substancë.
Ata kanë marrë një vendim dhe më pas e kanë anuluar, sepse nuk i pëlqeu Serbisë.
Qeveria e Kosovës nuk i përgjigjet popullit të Kosovës. Aq më pak Kuvendit të Kosovës. Qeveria e Kosovës i përgjigjet Presidencës së Serbisë.
Presioni mund të mos vije direkt, ose mesazhi mund të përcjellet nga një dorë e tretë, por kjo s’e ndryshon autorin e kërkesës.
Në fjalët e vet Kurtit, qeveria e tij sot është një qeveri a paligjshme, sepse mbrëmë ka marrë një vendim që nuk vjen nga vullneti politik poshtë (populli), madje as nga brenda Kuvendit, por nga presidenti i një shteti tjetër.
Kurti i mban vendimet që i merr vetëm derisa nuk i mban më sepse nuk i pëlqejnë Vuçiç-it.
Ai nga mbrëmë nuk qeverisë, Kurti tash e tutje do të qeveriset.
Pas këtij vendimi ai ka zhvleftësuar veten. Tani nuk merr vendime për t’i zbatuar, por zbaton kërkesa.
Çfarë nënshkruan sot kryeministri “nuk vlen as sa çmimi i letrës” në të cilën nënshkruan.
Në një situatë pavarësie, kryeministër i një shteti që e njeh e gjithë bota demokratike, dhe vendos të tërhiqet nga një vendim që imponon reciprocitet me Serbinë.
Po në një situatë tjetër? Në një si ajo në Rambuje, në një presion të tillë, çfarë do bënte Kurti?
Po në tryeza ku është diskutuar pavarësia e Kosovës, aty çfarë do bënte?
Fatmirësisht kjo mbetet vetëm një paramendim. Por, fatkeqësisht Kurtit aq i bën.
Vendimet dhe skandalet që dikë tjetër do ta zhduknin nga skena politike, s’kanë efekt mbi të.
Thyerja e parimeve është bërë pjesë e brendit të tij.
Ngjan sikur Kurti beson se rregullat vlejnë veç për njerëz të tjerë.
Por, siç ka ndodhur gjithmonë, abuzimi me gravitetin politik një ditë çdo kë e përplas për toke. (Albaniapost)