Një votë mosbesimi ka shkaktuar rënien e qeverisë së Malit të Zi vetëm tre muaj e gjysmë pas ngjitjes në pushtet të kryeministrit me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç. Rrëzimi i qeverisë së Abazoviç-it ndodhi më 20 gusht për shkak të një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse Serbe, marrëveshje kjo aspak e mirëpritur nga parlamenti malazes. Sipas ekspertëve, rënia e qeverisë është shembulli më i dukshëm, mbase i fundit që tregon kolapsin politik në Malin e Zi, kolaps ky që mund të ketë ndikime më të gjera.
Mali i Zi prej disa kohësh po kalon një fazë paqëndrueshmërie politike. Në muajin shkurt, qeveria e mëparshme e Malit të Zi, e ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 2020-ës, përbëhej kryesisht nga një koalicion me pikëpamje pro-serbe dhe pro-ruse, gjë që solli rrëzimin e saj me votë mosbesimi. Pas rrëzimit të Dritan Abazoviç-it nga posti i kryeministrit, presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç duhet të emërojë një kryeministër të ri, përndryshe Mali i Zi do të përballet me zgjedhje të parakohshme.
Për më shumë se 30 vjet, Gjukanoviç-i dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve (DPS) kanë përcaktuar fatet në politikën e Malit të Zi, të cilin ai e udhëhoqi drejt pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 2006. Në të njëjtën kohë, Gjukanoviç-i mbetet një figurë e diskutueshme që është kritikuar për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe sulme ndaj gazetarëve të pavarur. Rënia e qeverisë është shembulli i fundit i të ashtuquajturit destabilitet politik, tha për Al Jazeera Gëzim Krasniqi, ligjërues i nacionalizmit dhe sociologjisë politike në Universitetin e Edinburgut.
“Ky ishte një faktor kyç që solli përçarjen gjithnjë e më në rritje midis partive të pozicionuara pro-BE-së dhe pro-NATO-s, ndaj partive që mbështesin dhe kanë lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë”, tha ai. “Ky polarizim u bë veçanërisht i dukshëm gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në 2020-ën, kur kampi i fundit shënoi një fitore të ngushtë elektorale dhe rrëzoi presidentin aktual të Malit të Zi, i cili deri asokohe kishte mbajtur shtatë herë postin e kryeministrit (që nga viti 1991), partinë e Milo Gjukanoviç-it, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS)”, tha Krasniqi.
“Edhe pse zgjedhjet e vitit 2020 i dhanë fund sundimit gati 30-vjeçar të DPS-së së Milo Gjukanoviç-it, ky i fundit mbetet forca politike më e spikatur në Mal të Zi. Sundimi i gjatë i Gjukanoviç-it dhe DPS-së ka krijuar shumë armiq, por kampi anti-DPS është ideologjikisht dhe politikisht shumë i larmishëm dhe i fragmentuar për të krijuar një alternativë qeverisëse të qëndrueshme në të ardhmen e afërt”.
Ndërkohë, Nikolaos Tzifakis, profesor i asociuar në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit, ka thënë për Al Jazeera-ën se Mali i Zi nuk po vuan nga paqëndrueshmëria, por “nga stabiliteti i tepërt” duke pasur parasysh rolin që ka luajtur DPS-ja në politikën e vendit për 30 vjet.
“Për herë të parë në histori, pas zgjedhjeve të 2020-ës, DPS-ja doli në opozitë. Megjithatë, ishte e dukshme se koalicioni i ri qeverisës ishte shumë heterogjen dhe nuk mund t’i ofronte Malit të Zi asgjë më tepër, përpos rrëzimit të DPS-së nga pushteti”, tha Nikolaos Tzifakis. “Pas rënies së koalicionit në shkurt 2022-ës, u formua qeveria e pakicës që u drejtua nga platforma civile “Bardhë e zi” dhe u mbështet në parlament nga DPS-ja”, tha Tzifakis. “Si rezultat, jo vetëm që DPS-ja ka fituar sërish një kontroll mbi pushtetin dhe trajtimin e çështjeve si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por ka kontribuar edhe në forcimin dhe zgjerimin e hendekut mes ish-partnerëve të koalicionit qeverisës. Në këtë mënyrë, ajo e ka bërë veten pothuajse të domosdoshme për formimin e çdo koalicioni qeverisës të mëvonshëm. Për më tepër, DPS-ja e profilizon veten ndërkombëtarisht si roje e stabilitetit në vend. Megjithatë, stabiliteti i saj i premtuar është i bazuar në korrupsionin endemik, kapjen e shtetit dhe qeverisjen gjysmë-autoritare”.
Mali i Zi i sotëm, një ish-republikë jugosllave, u bë i pavarur në vitin 2006 në marrëveshje me shtetin serb. Serbia po përpiqet të rifitojë më shumë ndikim në Malin e Zi përmes kishës, partive dhe organizatave lokale pro-serbe. Statusi i Kishës Ortodokse Serbe është bërë një nga çështjet kryesore të diskutueshme politike në vend dhe konsiderohet pjesë e ndikimit të vazhdueshëm të Serbisë.
Në fakt, një marrëveshje e diskutueshme midis Abazoviç-it dhe Kishës Ortodokse Serbe kohët e fundit nxiti tensione midis kreut të qeverisë dhe Gjukanoviç-it. Marrëveshja kishte për qëllim t’i jepte të drejta të veçanta kishës, ndaj së cilës Gjukanoviç-i drejton herë pas here kritika të ashpra.
Në një intervistë të dhënë për Reuters në Bruksel, presidenti Gjukanoviç ka thënë se: “Marrëveshja e fundit midis qeverisë së Abazoviç-it dhe Kishës Ortodokse Serbe ishte arsyeja kryesore për rrëzimin e qeverisë. Një kryeministër duhet ta drejtojë vendin tonë drejt politikës pro-malazeze dhe pro-europiane”. “Pavarësisht interpretimeve të ndryshme të kësaj marrëveshjeje, është një fakt i njohur se çdo ndërhyrje e institucioneve fetare në politikë dhe sferën publike ka potencialin të nxisë tensionet dhe të zgjerojë përçarjen në shoqëritë e ndara”, shtoi ai.
Pavarësisht se Mali i Zi dhe Serbia kanë pasur një përvojë të gjatë të “Bashkimit Shtetëror” marrëdhëniet midis tyre kanë qenë komplekse që nga fundi i viteve 1990, pasi Mali i Zi synonte të shihte një alternativë politike të ndarë nga Serbia, pra një dëshirë për pavarësi.
Edhe pse Serbia e njohu zyrtarisht pavarësinë e Malit të Zi në mesin e viteve 2000, elementë të ndryshëm nacionalistë brenda Serbisë nuk kanë reshtur kurrë së propaganduari një të ardhme, në të cilën Mali i Zi do të jetë pjesë e një “Serbie të Madhe”. Megjithatë, Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur një rol shumë më aktiv në politikën malazeze sesa shteti serb, tha Krasniqi. “Udhëheqësit serbë nuk kanë reshtur së mbështeturi partitë pro-serbe në Malin e Zi, por asnjëherë nuk kanë pasur përfshirje të drejtpërdrejta, si për shembull rastet e ndërhyrjes së Rusisë në rajonin post-sovjetik për të instaluar apo mbështetur një regjim pro-Kremlinit në shtetet fqinje”, tha Gëzim Krasniqi.
Sipas Tzifakis, “Mali i Zi ka miratuar qëndrime diametralisht të kundërta nga Serbia për shumicën e çështjeve kryesore si anëtarësimi në NATO, pavarësia e Kosovës, gjenocidi i Srebrenicës dhe sanksionet kundër Rusisë”. “Duke thënë këtë, ne ende duhet të pranojmë se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë faktori vendimtar që solli humbjen e DPS-së në zgjedhjet e gushtit në 2020-ën, duke treguar se ajo ushtroi ndikim më të madh në shoqërinë malazeze se çdo parti opozitare”, tha ai. “Për më tepër, ne nuk duhet të nënvlerësojmë rrjedhën e lajmeve dhe informacioneve nga Serbia në Mal të Zi që formësojnë qëndrimet e opinionit publik për shumë çështje, siç është këndvështrimi i njerëzve për aktorët e jashtëm gjeopolitikë”.
Duke pasur parasysh se këta faktorë ka shumë të ngjarë të vazhdojnë, qeveria e ardhshme ndoshta do të përballet me të njëjtat probleme, me Serbinë që ka gjasa të vazhdojë ndikimin e saj në rajon, veçanërisht përmes instrumentalizimit të grupeve etnike serbe. Në Mal të Zi, rreth 30% e qytetarëve e identifikojnë veten si serbë. “Vendi duhet të formojë një koalicion që përfshin të gjitha partitë e orientuara drejt BE-së dhe përfshirjen e aktorëve të shoqërisë civile që mund të frymëzojnë njerëzit që të votojnë për ndryshime të vërteta politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për fat të keq, formimi i një koalicioni të tillë ende nuk ka qenë i dukshëm”, tha Tzifakis.
“Ajo që ne po dëshmojmë tani është një lloj lufte e re politike në Malin e Zi, me parti dhe liderë të ndryshëm anti-DPS dhe anti-Gjukanoviç që luftojnë për dominancë”, tha ai.
“Siç e përmenda edhe më lart, duke qenë se ky kamp është i fragmentuar ideologjikisht dhe politikisht, mund të pritet që kjo periudhë e fragmentimit dhe polarizimit politik të vazhdojë për një periudhë më të gjatë”, ka shtuar Krasniqi. Ai tha se mbetet për t’u parë nëse do të formohet një shumicë e re në parlament apo të dy kampet mund të bien dakord për zgjedhje të reja. “Zgjedhjet e reja, të cilat mund të shpallen së shpejti, do të jenë vendimtare për partitë e ndryshme opozitare, të cilat synojnë të fitojnë betejën e marrjes së pushtetit dhe konsiderimin e vetes si një alternativë anti- DPS-së”, tha Krasniqi.
Megjithatë, në një rajon, ku paqëndrueshmëria politike ka qenë një tipar konstant për një kohë të gjatë, njeriu pyet veten nëse kjo luftë zhbërëse mund të ketë implikime përtej Malit të Zi, edhe pse “luftërat e brendshme politike dhe kontestimet politike në vetvete nuk janë kërcënim për rajonin”, tha Krasniqi. Fiksimi i qarqeve nacionaliste në Beograd për kompletimin e “botës serbe”, d.m.th., boshti Beograd (Serbi); Banja Luka (Bosnje Hercegovinë), Podgoricë (Mali i Zi); dhe Mitrovica (Kosovë) është përforcuar seriozisht nga konteksti shumë i rrjedhshëm ndërkombëtar si dhe nga vakumi politik në zhvillim në Ballkan.
“Pa dyshim, kjo përbën një kërcënim për shtetësinë e Malit të Zi dhe stabilitetin e rajonit më të gjerë”, theksoi Krasniqi.
Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe rreshtimi pro-perëndimor në luftën e Ukrainës mund ta bëjë atë një objektiv të lehtë për shtetin rus dhe përfaqësuesit e tij në Ballkan. “Në shumë mënyra, duke pasur parasysh ndarjet e tij politike, ideologjike dhe etnike, Mali i Zi mund të shihet nga Rusia si hallka më e dobët në zinxhirin e NATO-s”, tha Krasniqi. Për më tepër, ai vuri në dukje gjithashtu se duke pasur parasysh kontekstin delikat rajonal dhe ndërkombëtar, polarizimi i vazhdueshëm politik në Malin e Zi mund të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë të jashtëm të etur për të minuar angazhimin euro-atlantik të Malit të Zi dhe stabilitetin rajonal. Mali i Zi po zhvillon negociata konkrete për anëtarësimin në Bashkimin Europian që prej muajit qershor.