Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule dha një mesazh për të gjithë maturantët që duan të zgjedhin të studiojnë në degët e këtij Fakulteti duke i bërë thirrje që të mos shqetësohen sepse do të kenë mundësi në fazat e tjera. Në deklaratën për media u shpreh se maturantët mund të aplikojnë në disa degë dhe ndaj mund të ketë hapësirë për pjesën tjetër që nuk është kualifikuar që në raundin e parë.

Ndër të tjera sqaron se në Fakultetin e Ekonomisë tashmë është e mundur që studentët të zgjedhin nëse duan të studiojnë në gjuhën angleze apo shqipe. Duke mos lënë pas programet Erasmus, Kule tha se kanë bërë kërkesë që shkolla të nisë më herët në mënyrë që të përfundojnë më herët dhe të mos shkojnë studentët në vapën e madhe të korrikut për të dhënë provime.

“Duke i falenderuar që kanë zgjedhur Fakultetin e Ekonomisë dhe duke i siguruar që do të gjejnë realizimin e ëndrrave sikurse e kanë menduar që të mos shqetësohen nga shpalljet e para. Që me 26 kemi shpallur fituesit. Nuk është e nevojshme që të zgjatet. Në fillojmë shkollën më 17 tetor ndërsa procedura e sistemit të matutrantëve është deri në mes të nëntorit. Shkolla në universitetet shqiptare duhet të nisë më shpejt. Maksimumi në mes të tetorit që të mos rrijmë në korrik në vapë të bëjmë provime. Mesa duket këtë vit kaloi po kështu.

Nëse do të regjistrohen të gjithë fituesit, Fakultetin e Ekonomisë ka 1200 kuota për 4 degët që kemi ne. Nëse regjistrohen ditën e parë të gjithë, mbeten 307 vende bosh sepse janë fitues të shpallur në disa degë. Do ju bëja thirrje maturantëve që të mos shqetësohen nga shpalljet e para, të presin zbritjen e listës, niveli është shumë i lartë. Këtë vit, japim edhe diploma të zhvillimit të mësimit në gjuhën angleze. Maturantët do shprehin preference nëse duan të ndjekin mësimin në gjuhën angleze apo shqipe”, tha Kule.

Kule tregoi se në 21 mijë maturantë që kanë aplikuar këtë vit, 9500 kanë qenë në fakultetin e Ekonomisë. Gjithashtu shtoi se maturantët kanë siguri për gjetjen e punës.

“Pra 45% e të gjithë matutrantëve të Shqipërisë kanë aplikuar në fakultetin tonë, tregues ky i interesit dhe zgjedhjes prioritare për fakultetin dhe këtë zgjedhje ua imponon tregu i punës. Ata që mbarojnë Fakultetin e Ekonomisë kanë siguri maksimale për gjetjen e punës dhe sistemimin në tregun e punës”, tha Kule.