“Arbitri ka një kosh plehrash në vend të zemrës”. Kështu shprehej në prill të vitit 2018 Gianluigi Buffon, ish-kapiteni i Juventusit, që u tërbua me anglezin Michael Oliver pasi ky akordoi 11-metërsh për Realin e Madridit në minutën e 93-të të ndeshjes.
Penalltia u shndërrua në gol nga Cristiano Ronaldo dhe Juventus u eliminua nga Champions League, duke shkaktuar irritimin e portierit italian, i cili u ndëshkua me karton të kuq për protesta, ndërkohë që në konferencën për shtyp shfryu më tej dufin me deklarata të forta ndaj anglezit.
Tashmë, ky arbitër është përzgjedhur nga UEFA për të gjykuar Superkupën e Evropës, Real Madrid-Eintracht Frankfurt, që do të luhet të mërkurën, në Helsinki.