Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është shprehur pro basteve sportive në dëgjesën e sotme me kryeministrin Edi Rama.

Duka bëri një krahasim me Kosovën, duke thënë se është trup që në tre vite na ka kaluar me 10 vende, pasi ka bërë edhe ligjin e sponsorizimeve. Sipas kreut të FSHF-së, paratë që do përfitohen nga të ardhurat e basteve do të investohen për infrastrukturën sportive.

“Më bëhet qejfi kur Rama tha që ministrja ka kaluar në krahun tonë për rikthimin e basteve, sepse ka qenë skeptike.

Unë kur e kam propozuar kam thënë se nuk kemi bërë shpikje. Kemi parë që bastet sportive luhen në gjithë botën. Nuk po themi që të bëjmë një gjë që nuk ekziston.

Ne themi që ato që luhen, le të luhen në mënyrë të ligjshme, në një farë mënyrë liron edhe ministrinë e Brendshme sepse nuk do rrijë të merret, sepse çdo aktivitet i paligjshëm krijon edhe kriminalitet dhe ka shpenzime më shumë për buxhetin e shtetit.

Nuk është se kemi menduar shumë për gjëra të tjera, por si një burim financimi për sportin. Do t’i përdorim paratë për infrastrukturën sportive.

Turp për mua dhe për gjithë komunitetin, që Kosova për 3 vjet na ka kaluar me 10 vende. Ka bërë ligjin e sponsorizimeve dhe na ka kaluar”- tha Duka.