Samiti i radhës i nismës “Ballkani i Hapur” do të ketë risi, teksa pjesëmarrës nuk do të jenë vetëm përfaqësues nga shtetet pjesëmarrës, por do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia.

Në takimin e radhës i cili pritet të zhvillohet më 2 shtator në Beograd, përveç kryeministrit shqiptar Edi Rama, presidentit serb Aleksanër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, të pranishëm do të jenë dhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Gjithashtu, si në takimin e fundit të kësaj iniciative, të mbajtur në Ohër, të pranishëm do të jenë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija.
Pjesë e nismës deri më tani janë vendi ynë, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa edhe Mali i zi shprehu dëshirën për t’u bashkuar, megjithatë me rrëzimin e qeverisë së Dritan Abazoviç mbetet për t’u parë nëse kjo do të realizohet.