Hyri sot në fuqi vendimi i Bashkimit Europian (BE) për ndalimin e importit të qymyrit nga Rusia, sipas agjencisë turke të lajmeve “Anadolu Agency” (AA).

Me përfundimin e periudhës kalimtare, ka hyrë në fuqi paketa e sanksioneve të miratuara nga vendet anëtare të BE-së në prill, që përfshin ndalimin e importit të qymyrit nga Rusia.

Kështu, ndalohet blerja, importi ose transferimi në BE i qymyrit dhe lëndëve djegëse të tjera të ngurta fosile me origjinë ose të eksportuara nga Rusia, me vlerë 8 miliardë euro në vit.

E para nga sanksionet energjetike të BE-së kundër Rusisë ishte ndalimi i blerjes së qymyrit. Ndalimi i importit të naftës nga Rusia pritet të hyjë në fuqi në dhjetor.

Rusia është eksportuesi më i madh i qymyrit drejt vendeve të BE-së, me rreth 25 për qind të eksportit në Europë.

Nga ana tjetër, vendet e BE-së importojnë nga Rusia rreth 45 për qind të sasisë së përgjithshme të qymyrit dhe 70 për qind të linjitit, që përdoret në prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të Ministrisë ruse të Energjisë, Rusia i shiti BE-së 48.7 milionë tonë qymyr në vitin 2021.