Talebanët kanë shkelur dhe abuzuar rëndë me të drejtat e grave dhe vajzave afgane në Afganistan, tha sot një zëdhënës i BE-së, pak përpara njëvjetorit të sundimit taleban në vendin e shkatërruar nga luftërat.

”Talebanët kanë dështuar të krijojnë një sistem politik gjithëpërfshirës ​​duke mohuar kështu aspiratat e popullit afgan”, tha në një deklaratë zëdhënësja e BE-së për Punët e Jashtme, Nabila Massrali.

Të hënën, Afganistani do të shënojë një vit nga marrja e pushtetit nga talebanët, gushtin e kaluar, me të drejtat themelore të grave të shtypura, lirinë e medias të kufizuar dhe një pjesë të madhe të vendit të zhytur në varfëri.

Asnjë vend nuk e ka njohur qeverinë e talebanëve dhe gratë kanë protestuar për të denoncuar kufizimet në të drejtat e tyre për arsimim, punë dhe lirinë e lëvizjes.

Dje, një protestë paqësore nga dhjetëra gra që po marshonin në rrugët e Kabulit duke brohoritur “Ushqim, punë dhe liri” u sulmua përsëri dhe u ndalua nga forcat talebane.

Duke riafirmuar angazhimin e saj ndaj popullit afgan, BE-ja u bëri thirrje talebanëve që të heqin dorë nga politikat që shkelin të drejtat e njeriut.

”Afganistani nuk duhet të mbetet një strehë e sigurt për terroristët, as një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare”, shtohet në deklaratë.

Talebanët morën përsëri pushtetin në Kabul më 15 gusht 2021, pas vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga Afganistani duke bërë që NATO t’i japë fund një misioni 20-vjeçar në vend.