Bashkimi Evropian ka akuzuar talibanët se “kanë dështuar të krijojnë një sistem politik gjithëpërfshirës”, në prag të përvjetorit të parë të sundimit të lëvizjes islamike.
“Popullsia, duke përfshirë grupet etnike dhe fetare, në veçanti popullatën Shiite, po përjetojnë abuzim të institucionalizuar dhe sistematik të të drejtave të tyre ekonomike, sociale, kulturore, civile dhe politike”, tha më 14 gusht, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për çështjet e Jashtme.
“Më konkretisht, ata kanë shkelur dhe abuzuar rëndë të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të cilat mbeten të privuara nga arsimi i mesëm, ndërsa kufizimet e reja në kodet e veshjes dhe lëvizjes i kanë përjashtuar ato nga shumica e aspekteve të jetës ekonomike dhe publike”, tha Massrali.
Në deklaratë thuhet se nuk ka mekanizëm që mbron gratë dhe vajzat dhe se dhuna në familje është rritur.
“Mekanizmat për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe martesat e detyruara janë çmontuar dhe dhuna në familje është në rritje”.
Talibanët pushtuan Kabulin më 15 gusht 2021, duke u rikthyer në pushtet në Afganistan gati 20 vjet pasi ata u rrëzuan nga pushtimi i SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Asnjë vend nuk e ka njohur ende sundimin e talibanëve.
Pasi fillimisht deklaruan se do të ishin më të moderuar se në kohën e tyre të mëparshme, talibanët u kthyen në një linjë të ashpër, duke shtypur të drejtat e grave, duke lejuar pak kritika dhe duke vendosur kontroll më të madh mbi median.
Vërejtja e BE-së vjen një ditë pasi një protestë e grave në Kabul u shpërnda me dhunë nga luftëtarët talibanë, të cilët qëlluan me armë në ajër dhe rrahën protestuesit që kishin kërkuar “bukë, punë dhe liri”.