“Vlerësoj qëndrimin e Presidentes dhe qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”. Kështu u shpreh presidenti Bajram Begaj gjatë konferencës për shtyp pas takimit me Vjosa Osmanin në vizitën zyrtare në Kosovë.
Teksa vijoi komentin për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj mbajti të njëjtin qëndrim si kancelari Scholz duke thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Formula e zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë, e shprehur nga Presidenti Biden, si “marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e fokusuar në njohjen reciproke”, apo qëndrimi i ripërsëritur i Kancelarit Gjerman Scholz se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE – janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që përcakton qartësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës”, tha Begaj.