Vij në shtëpi dhe në shtëpinë e shqiptarisë si bir e vëlla, mes bijve të kësaj toke krenare dhe vëllezërve të të njëjtit identitet, aty ku shtëpia është e mikut dhe Zotit. E dashur Vjosa, faleminderit për pritjen e ngrohtë, vëllazërore, si dhe bisedën që zhvilluam sot me shkëmbime idesh, pikëpamjesh, qëndrimesh dhe vizioni për dy vendet tona!
Jam i nderuar të jem në Prishtinë, në vizitën time të parë si President– dhe kjo jo thjesht në respekt të traditës, por si një simbolikë e natyrshme, që mishëron lidhjen tonë të pandashme dhe të pandryshueshme – e vulosur nga historia, gjuha jonë e përbashkët dhe heronjtë tanë ndër shekuj. Dy dialekte dhe një gjuhë, dy Republika dhe një komb, kjo është harta jonë e përbashkët patriotike me destinacion Brukselin dhe bashkimin tonë në aleancën EuroAtlantike.
Së bashku fituam luftën, bashkë duhet të luftojmë për të ruajtur paqen. Ky është amaneti dhe trashëgimia solemne e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit; e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit; e çdo luftëtari të UÇK-së, e çdo kulm-kulle në çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Republika e Kosovës.
Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës vizionar e qëndrestar dhe themelues i pavarësisë së Kosovës. Vizioni i tij është shembull frymëzimi për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri.
UÇK-ja përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët, që bën krenar çdo shqiptar.
Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme.
Ndamë sot të njëjtin qëndrim me Presidenten Osmani se Kosova dhe Shqipëria, jo vetëm gëzojnë këtë lidhje të pazgjidhshme vëllazërore e strategjike, por edhe të njëjtin vizion dhe aspirata, të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Reformat integruese, – për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve, ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e ekonomisë së tregut – nga njëra anë – dhe një perspektivë e besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, – nga ana tjetër – , mbeten thelbësore për të siguruar stabilitetin rajonal, për të mbështetur mirëqenien dhe paqen në rajonin tonë.
Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një arritje e shumëpritur dhe një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, por edhe për Kosovën dhe gjithë rajonin.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit, për të cilën unë e sigurova Presidenten Osmani se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv, sa më parë të jetë e mundur.
Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet një garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Ne mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte vendimi i duhur. E sigurova presidenten Osmani se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, përforcuese e zërit të saj, në promovimin e shtetit të pavarur të Kosovës, pakthyeshmërinë e këtij fakti, njohjet e reja dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik.
Lufta në Ukrainë na tregon edhe një herë se paqja është delikate dhe si asnjëherë më parë bota përballet me kërcënime të reja. Siguria kombëtare, pavarësia energjitike, siguria ushqimore, pandemitë, siguria kibernetike, rezervat ujore etj., janë fusha me rëndësi prioritare dhe që më shumë se kurrë kërkojnë bashkëpunim të shtuar.
Përshëndes maturinë e shtetit të Kosovës në përballimin e krizës se 31 korrikut dhe mbështes plotësisht të drejtën e saj legjitime për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë ShBA-në dhe BE-në. Vlerësoj qëndrimin e Presidentes dhe qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm.
Formula e zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë, e shprehur nga Presidenti Biden, si “marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e fokusuar në njohjen reciproke”, apo qëndrimi i ripërsëritur i Kancelarit Gjerman Scholz se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE – janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që përcakton qartësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës.
Kosova dhe Shqipëria janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuuese të rëndësishme për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i politikave dhe veprimeve të gjitha institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor, pasi kështu krijojmë të gjitha premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe faktor stabiliteti në rajon.
Vlerësuam se bashkëpunimi i shkëlqyer midis shteteve, qeverive dhe institucioneve tona në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta, bashkëpunimit ndërparlamentar apo në kuadër më të gjerë ndërinstitucional, duhet të vijohet me punë intensive dhe të matshme për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.
Të dy vendet duhet të vijojnë përpjekjet për të shfrytëzuar maksimalisht potencialet tona ekononomike. Hapat e ndërmarra tashmë në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar për njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitalin (si heqja e kontrollove kufitare për periudhën e verës, marrëveshja për qëndrimin e përkohshëm 5 vjeçar), apo projektet për ndërtimin e portit në Porto-Romano, Portit të Thatë në Prishtinë dhe lidhja e tyre me hekurudhën Durrës-Tiranë janë hapat e duhur, në drejtimin e duhur si investime prioritare, që jo vetëm do të forcojnë pozitat strategjike të dy vendeve tona në rajon, por edhe do t’i japin një impuls të ri e të nevojshëm bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Në këtë kontekst, ne duhet të përfitojmë nga proceset dhe mekanizmat integruese evropiane apo rajonale, për të materializuar projektet tona të përbashkëta. Një aspekt shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit dypalësh, por që kërkon kultivimin e vazhdueshëm nga të gjithë ne është ai në fushën e arsimit dhe kulturës. Projekti madhor mbarëkombëtar për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare do të përbëjë një gur kilometrik në promovimin ndërkombëtar të identitetit kombëtar, të gjuhës, kulturës, trashëgimisë dhe historisë sonë kombëtare.
Vetëm një qasje përbashkuese, e mbështetur në politika të mirë-planifikuara e afatgjata do të mundësojë që brezat e rinj shqiptarë, kudo ku ndodhen: në Shqipëri, Kosovë, rajon, diasporë e kudo tjetër të rriten dhe arsimohen me vetëdijen e pangatërrueshme se i përkasin të njëjtit trung kombëtar. Përfundoj, duke theksuar se për vendimmarrje jetike në procese historike dhe të një rëndësie mbarëshqiptare, ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të ecim përpara me urtësi e maturi në mbrojtje të interesave tona, të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të paqes në rajon.