Nga Mero Baze/

Sali Berisha po përpiqet të bëj një prove force në Shtator për të verifikuar efektin e Foltores brenda grupit parlamentar të PD. Propozimi i tij për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Luciano Boçin, natyrisht që nuk ka asnjë vlrë ligjore, por ka një peshë politike. Ai vlen për të kuptuar nëse Berisha është shumicë apo pakicë në Grupin parlamentar.

Po pikërisht këtu qëndron dhe hileja e Berishës. Ai e di që nuk e shkarkon dot Alibeajn. E di që nuk ka as votat brenda grupit sikur Alibej ta sfidoj e ti thotë eja më shkarko.

Por për të qenë i sigurt që Grupi nuk do ta përfill dhe nuk do tia hedhin në votim propozimin, e paraqet atë si vendim të PD që duhet zbatuar patjetër.

D.m.th. bën diçka tërësisht të paligjshme me vetëdije, që duke mos ju pranuar të mos kuptohet që është pakicë në grup, por të duket sikur ka shumicën, por nuk e lënë këta ta marrë.

Pra e gjitha është një taktikë për të fshehur pafuqinë dhe jo për të sfiduar Grupin si përfaqësues i shumicës. Aq më tepë e di mirë që ai nuk ka asnjë përfaqësim juridik të PD dhe nuk mund të flas në emër të PD derisa çështja është në gjykatë.

Pra çdo detaj i kësaj shpikje të tij, tregon qartë se Berisha nuk di çfarë tu ofroj të vetëve në Shtator si trofe dhe ka zgjedhur të bëj sikur nuk e lënë të shkarkoj Alibej. Në fakt thjesht nuk e shkarkon dot dhe sikur ta lënë, pasi nuk e ka shumicën. Por ai ka zgjedhur ta kërkoj në mënyrë aq të paligjshme, sa të jetë i sigurt që nuk do ta fusin në votim dhe ta turpërojnë.