Forcat ukrainase kanë vazhduar të zmbrapsin përpjekjet ruse për të depërtuar rreth qytetit strategjik të Bahmutit, teksa Moska po tenton që të shtrijë kontrollin mbi rajonin e Donbasit.
Pasi javë më parë morën Severodonjeckun dhe Lisiçanskun, forcat ruse tani janë përqendruar në marrjen e Bahmutit.
Ky qytet – që vlerësohet se kishte 70.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt – ka qenë cak i granatimeve të reja më 27 gusht. Granatime ka pasur edhe në afërsi, në Soldedar dhe Zaitseve, tha ushtria ukrainase.
Në raportin e ushtrisë ukrainase u tha se kanë arritur të ndalin përparimin rus edhe në dy qytetet e tjera të mëdha, Sllovijansk dhe Kramatorsk.
Ushtria ukrainase po ashtu tha se forcat e saj janë ende duke e mbajtur kontrollin në qytetin Avdijavka, teksa ka arritur të zmbrapsë sulmet me artileri dhe ajrore ruse.