Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ndal gjatë mbledhjes së qeverisë këtë të martë te bisedimet Kosovë-Serbi që u mbajtën javën që lamë pas në Bruksel.
Në fjalën e tij Kurti theksoi se gjatë takimit nuk pati asnjë propozim konkret nga ana e palës serbe, por vetëm vendosjen e kushteve.
Kurti theksoi gjithashtu se gjatë bisedimeve, Prishtina zyrtare hodhi idenë e njohjes së të gjitha dokumenteve mes dy vendeve. Ai shtoi se reciprociteti nuk do të thotë njohje e plotë, por është fryma që të çon drejt një zgjidhjeje që përfundon me njohjen mes dy vendeve.
“Kemi hedhur dhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet. Pse mos të njihen? Pozicioni ynë në këtë qëndrim është evropian. Është pozicion që del nga principet evropiane dhe që i shmang zgjidhjet ad-hoc. Fakti që ne kemi raport reciprok nuk do të thotë njohje e plotë.
Sa për dijeni Greqia nuk e njeh Kosovën, por njeh dokumentet e Kosovës, njeh target e Kosovës. Reciprociteti është fryma që mund të çojë në njohjen mes dy vendeve.
Kosova nuk mund të marrë vendime që vendosin në pikëpyetje pavarësinë e saj. Pavarësia e vendit nënkupton që nuk mund të promovojmë një rend juridik të ndryshëm në një pjesë të territorit. Që siç kërkon pala serbe të shtrijë kontrollin e Serbisë në Kosovë, apo që akomodojnë interesat e grupeve kriminale të cilat e dëmtojnë shtetin e Kosovës. Kjo nuk është e mundur! Në Bruksel nuk kemi parë propozime konkrete të palës serbe”, tha Kurti.