Kuvendi i Shqipërisë i përcolli zyrtarisht Këshillit të Europës Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri” miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.
Deputetja Klotilda Bushka ka njoftuar sot në rrjetet sociale se Rezoluta u është dërguar:
– Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;
– Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;
– Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;
– Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
– Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
– Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
– Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.