Rusia ka hartuar një plan të detajuar për ta shkëputur termocentralin më të madh të Evropës në Zaporizhzhia nga rrjeti energjetik i Ukrainës, shkruan The Guardian. Kjo do të rrezikonte që sistemi i centralit të dëmtohej, duke sjellë pasoja katastrofike.
Udhëheqësit botërorë kanë bërë thirrje që zona e Zaporizhzhia të çmilitarizohet pasi u shfaqën pamjet e automjeteve të ushtrisë ruse brenda uzinës. Liderët perëndimorë e kanë paralajmëruar më parë Rusinë që të mos e shkëpusë centralin nga rrjeti ukrainas për ta lidhur me rrjetin elektrik rus.
Por Petro Kotin, kreu i kompanisë së energjisë atomike të Ukrainës, tha në një intervistë për The Guardian se inxhinierët rusë kanë hartuar tashmë një plan të ndërprerjes mbi bazën e planifikimit të emergjencës.
“Ata ia paraqitën planin punëtorëve në uzinë dhe punëtorët e uzinës na e paraqitën ne. Parakushti për këtë plan është dëmtimi i rëndë i të gjitha linjave që lidhin termocentralin bërthamor Zaporizhzhia me sistemin ukrainas”, tha Kotin.
Ai ka frikë se ushtria ruse tani po synon ta shkëpusë lidhjen energjetike me Ukrainën për ta bërë realitet skenarin e emergjencës.