Në shekullin e kaluar, numri i luanëve të pranishëm në Afrikë ka rënë në mënyrë drastike, duke shkuar nga 200,000 në fillim të viteve 1900 në më pak se 30,000 të mbetur sot në kontinent. World Wildlife Fund (Fondi botëror i jetës së egër) ngre alarmin për të ardhmen e specieve në ditën kur festohet Dita Botërore e Luanit. Reduktimi i ekzemplarëve në Afrikë vazhdon të përkeqësohet. Sipas të dhënave më të fundit në 20 vitet e fundit popullsia ka pësuar një rënie prej 43%.

“Kërcënimet janë gjuetia pa leje, fakti që luanët vriten për të mbrojtur bagëtitë e rritura nga njerëzit, por edhe zhdukja e habitateve dhe presë natyrore”, shpjegon Isabella Pratesi, drejtoreshë e ruajtjes së WWF Itali.

Sot vlerësohet se luani zë vetëm 10% të gamës së tij origjinale.

“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i dhënë një të ardhme luanëve në Afrikë duke mbrojtur habitatet e tyre natyrore dhe korridoret e lëvizjes, duke studiuar dhe monitoruar tufat dhe duke punuar me komunitetet lokale për të gjetur zgjidhjet më të mira për një bashkëjetesë të mundshme”.

Luanët janë të pranishëm në 27 vende afrikane, por vetëm në 7 prej tyre ka popullata me më shumë se një mijë individë. Lloji, tani është zhdukur në 26 shtete të diapazonit të origjinës. Ekziston gjithashtu një popullsi e vogël e luanëve aziatikë që jetojnë në Indi, në Parkun Kombëtar Sasan Gir.