Ylli i futbollit, Paul Pogda u ka paguar 100.000 euro shantazhuesve të tij, të cilët e tërhoqën zvarrë në një apartament në Paris në mars dhe nën kërcënimin e një arme i kërkuan 13 milion euro.

Raportohet se 29-vjeçari, fitues i Kupës së Botës me Francën, tha se personat që e kërcënuan donin paratë për ‘shërbimet mbrojtëse’ përgjatë 13 viteve të fundit, përfshirë edhe kohën që ai kaloi në Manchester.

Pogba pretendon se dy persona të armatosur i thanë se “të mbrojtëm në mënyrë diskrete” gjatë një periudhe që zgjati më shumë se një dekadë, përfshirë dy periudhat në Manchester United, e fundit prej të cilave përfundoi në fillim të këtij viti.

Media franceze RMC raporton se futbollisti pagoi rreth 100.000 euro në një përpjekje për të kursyer kohë dhe për t’i kënaqur kërcënuesit, por përpjekjet e tij bënë që shantazhuesit t’i kërkonin përsëri 13 milion euro.

Akuzat erdhën pasi vëllai i Pogba, Mathias publikoi një video në internet të shtunën mbrëma, në katër gjuhë (frëngjisht, italisht, anglisht dhe spanjisht), duke premtuar ‘zbulime të mëdha’ për yllin e Juventusit.

Një deklaratë, nëna e tij Yeo Moriba dhe agjentja aktuale Rafaela Pimenta, tha se videot ‘për fat të keq nuk janë surprizë’ dhe ishin si shtesë e ‘kërcënimeve dhe përpjekjeve të tjera për zhvatje’.

Mathias përfundoi videon e tij duke iu referuar Kylian Mbappe, duke deklaruar se ka ‘gjëra të rëndësishme’ për të thënë për 23-vjeçarin.

“Do t’ju them gjëra shumë të rëndësishme për të dhe do të ketë elementë dhe shumë dëshmi për të konfirmuar fjalët e mia”, tha Pogba për Mbappe. “Gjithçka mund të jetë shpërthyese dhe do të bëjë shumë zhurmë.”

Pogba u tha hetuesve se një nga gjërat me të cilat i vëllai e kërcënon është “se i ka kërkuar nga një magjistare që të bënte magji për superyllin e Paris Saint-Germain dhe bashkëlojtarin francez, Kylian Mbappe”, diçka që futbollisti e ka mohuar se e ka bërë.

Sipas dy burimeve pranë familjes Pogba të kontaktuara nga AFP, shuma të mëdha parash po i kërkohen Paul Pogba nëse dëshiron të shmangë shpërndarjen e videove të pretenduara komprometuese.

Por 29-vjeçari u shpjegoi hetuesve se shantazhuesit e tij donin ta diskreditonin duke pretenduar se ai i kërkoi magjistar, që të bënte magji mbi yllin e Paris Saint-Germain dhe Francës, Mbappe, gjë që Pogba e mohon.

Të dyshuar në komplotin e zhvatjes është vëllai i madh i Pogba dhe miqtë e tij të fëmijërisë.

Kërcënimet ndaj tij dyshohet se kanë zgjatur për 4 muaj. Aktet e frikësimit u kryen në Manchester në prill dhe më vonë në qytetin italian të Torinos, ku Pogba aktualisht luan për Juventusin.

Banda thuhet gjithashtu se ka marrë Pogban në banesë në lagjen e Parisit, Lagny-sur-Marne, ku ai u rrit, në fund të marsit.

Aty anëtarët e bandës akuzuan lojtarin se nuk i ka ndihmuar financiarisht që kur u bë futbollist profesionist.

Prokurori francez konfirmoi për Reuters se kanë nisur hetimet.

“Konfirmoj se një hetim u nis më 3 gusht 2022 për akuzën e tentativës për zhvatje nga një bandë e organizuar kriminale. Hetimet i janë besuar OCLCO-së”, tha prokuroria.

OCLCO është një njësi brenda policisë gjyqësore e ngarkuar me hetimin e krimit të organizuar.

Paul Pogba do të mbrojë Kupën e Botës që fitoi me Francën në vitin 2018 në turneun e ardhshëm në Katar.

Ai iu bashkua gjigantëve të Serie A në një transferim të lirë pasi kontrata e tij me Manchester United skadoi në fillim të kësaj vere.

Futbollisti mbërriti fillimisht në Old Trafford nga Le Havre në moshën 16-vjeçare në vitin 2009 përpara se të lejohej të largohej nga United si një transferim i lirë dhe t’i bashkohej Juventusit në 2012.

Ai pritet të kthehet në aksion muajin e ardhshëm. Pogba është i martuar me modelen boliviane, Maria Zulay Salaues dhe së bashku kanë dy fëmijë.