Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar se sot vetëm dy persona kanë kaluar në testin për rimarrjen e lejes së drejtimit pas humbjes së pikëve, nga 75 persona.

“Sot në Testin e rimarrjes së Leje Drejtimit pas humbjes së pikëve, teori e praktikë, vetëm dy persona kaluan.

Kjo ishte seanca e 4-ët që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë. Kjo, për 2 muajt e parë që ky akt është në fuqi, nga 75 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit!”- bën me dije DPSHTRR.

Kështu 73 të tjerët, do duhet të rikthehen nga e para në Autoshkollë e t’i nënshtrohen përsëri testit të teorisë dhe të paktikës.

DPSHTRR u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor.

NJOFTIMI I PLOTË

Sot në Testin e rimarrjes së Leje Drejtimit pas humbjes së pikëve, teori e praktikë, vetëm dy persona kaluan. Kjo ishte seanca e 4-ët që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë. Kjo, për 2 muajt e parë që ky akt është në fuqi, nga 75 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit!

S’ka shpëtim përveç riedukimit për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë! 73 personave të riregjistruar, do t’u duhet të ndjekin nga e para mësimin në Autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim, çdo herë brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove)!

Konkluzioni: respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës! Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë!

Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja!