Nga Ilir Yzeiri/
Të gjithë ata që ëndërruan demokracinë perëndimore dhe mbështetën rënien e regjimit komunist në fund të viteve ’90, mes të tjerash, adhuronin edhe sistemin e drejtësisë perëndimore, i cili, në thelb, ndryshonte nga sistemi i drejtësisë komuniste në përmbajtje dhe formë.
Drejtësia e re që do të lindte në sistemin e demokracisë nuk do të ishte më dhuna me ligj kundër armiqve të regjimit dhe as dhuna mbi shkelësit e ligjit, por dhënia e drejtësisë për ata që kishin shkelur ligjin, të cilët, ndryshe nga mënyra si i trajtonte regjimi monist, që i shpallte armiq pa përfunduar gjykimi, në sistemin e drejtësisë perëndimore, ai që do të ndalohej si shkelës ligji, do të quhej i pafajshëm derisa për të të shprehej gjykata në tri shkallë dhe ai do të kishte të drejtë të mbrohej nga një avokat, të cilin në rastet kur nuk e mbulonte dot vetë, mund t’ia caktonte edhe shteti.
Nëse do të ndiqnim kronikën dhe nëse do t’u referoheshim atyre ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, dy personazhet që sot po akuzohen fort nga opinioni publik dhe media për veprimtari kriminale në kohën kur kanë qenë në funksione të larta shtetërore, Sali Berisha, pra, dhe Ilir Meta, kanë qenë edhe dy nga « kampionët » që kanë kërkuar rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë. Sali Berisha u vu në krye të Lëvizjes së Dhjetorit dhe uzurpoi drejtimin e forcës së parë politike opozitare në vend dhe Ilir Meta në Partinë Socialiste në Forumin e Rinisë së kësaj force, ishin ndër ata që kërkonin vendosjen e demokracisë.
Mirëpo, si ka mundësi që këta dy personazhe, pasi kanë qenë vetë për më shumë se gjysmën e kësaj periudhe në postet më të larta të shtetit, sot, kur drejtësia po kërkon të merret me njërin prej tyre, ata jo vetëm nuk e besojnë atë, por e kërcënojnë, e shantazhojnë dhe, pa iu dridhur qerpiku, thonë se do të ngrejnë militantët e tyre në këmbë dhe do të nisin protesta, do të frymëzojnë mosbindje civile në mënyrë që drejtësia të heqë dorë nga hetimi i Ilir Metës. Po ashtu, edhe një pjesë e rëndësishme e përfaqësuesve të opinionit publik, jo vetëm që mbështet aksionin e shpallur nga Berisha dhe Meta, por akuzojnë drejtësinë e re se ajo po bën lojën e Ramës.
Që të jemi të sinqertë, drejtësia nuk paragjykohet vetëm te ne, ajo është në qendër të sulmeve edhe në vende me demokraci të zhvilluara, ashtu siç është disa herë në qendër të sulmeve edhe nga militantët apo përkrahësit e një lideri të caktuar. Tani më vjen ndërmend ish-presidenti i Brazilit Lula që disa vjet më parë u arrestua, u dënua dhe tani ka dalë nga burgu. Presidenti popullor i Brazilit nuk iu shmang gjykatës, por, megjithëse çështja nuk kishte kaluar në të gjitha fazat ai u arrestua në 2018 dhe këto ditë Gjykata Supreme e liroi nga burgu. Në Brazil lufta politike mes së djathtës e të majtës është një histori tjetër. Por gjykata nuk preket dhe vendimet e saj zbatohen.
Për të mos thënë pastaj se çfarë ndodh me vendet perëndimore e me SHBA-të ku drejtësia ka arritur standarde edhe falë traditës. Paradoksi më i madh këtu te ne është se drejtësia është bërë një çështje e rangut të ulët. Ajo ka humbur autoritetin dhe dinjitetin hijerëndë që ka ligji. Për shkak se në këta tridhjetë vjet ai sistem ishte kthyer në një moçal të neveritshëm që qelbej erë dhe për shkak se në pjesën më të madhe prokurorë e gjykatës jo vetëm që nuk jepnin drejtësi, por në emër të korrupsionit ndanin padrejtësinë me kriminelë e banditë, për këtë e shkaqe të tjera, ne sot e kemi të vështirë të gjejmë emra gjykatësish e prokurorësh që janë bërë simbol i dhënies së drejtësisë dhe ndëshkimit të kriminelëve.
Reforma në Drejtësi që po bëhet me shumë mundim dhe me shumë vështirësi pati një anë të mirë. Publiku pa për herë të parë përmes operacionit të vetingut se çfarë sistemi skandaloz drejtësi kishte sunduar në këtë vend dhe çfarë pasurie marrëmendëse kishin vënë gjykatës e prokurorë duke shitur drejtësinë.
Natyrisht që klima ka ndryshuar dhe me përjashtim të rasteve kur gjykatës e prokurorë që nuk kanë kaluar në procesin e vetingut vijojnë të japin vendime skandaloze apo zbulohen që kanë liruar nga burgu lloj-lloj vrasësish që pastaj ekzekutohen në rrugë duke hedhur në erë punën e lavdërueshme të policisë së shtetit e cila i ndalon dhe gjykata i nxjerr nga burgu, pra me përjashtim të këtyre rasteve, drejtësia ka nisur të veprojë. Personalisht kam qenë kritik me zotin Kraja pse nuk po merr përgjegjësi dhe përse nuk ka nisur hetime të mëdha nga akuza që janë bërë publikisht për Berishën sidomos, por edhe për të tjerë, por sot kur shoh që ai vetë dhe institucioni që ai drejton janë vënë në lëvizje për të hetuar Ilir Metën, e përshëndes dhe e inkurajoj.
Drejtësia në një vend në tranzicion si ky i yni, ku disa politikanë të mbrapshtë e kanë shqyer këtë vend është në një provë të vështirë. Protestat, zemërimi i militantëve, ulëritja e atyre personazheve publikë që urrejnë Ramën dhe e mbështesin Berishën e Metën është një gjë normale. Gjykatësit dhe prokurorët duhet të bëhen të vetëdijshëm se në demokraci nuk ka drejtësi popullore, por ka drejtësi ligjore. Për fat të keq, Ilir Meta dhe Sali Berisha që sot po shantazhojnë drejtësinë po përdorin klishetë e komunizmit dhe të kohës kur ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Frazat e tyre janë bosh në fakt sepse në qoftë se Enver Hoxha i akuzonte dhe i vriste armiqtë e tij në emër të drejtësisë popullore, ai e bënte këtë sepse abuzonte me përmbajtjen e historisë e cila sipas tij i kishte dhënë popullit të mirat dhe armiqtë të këqijat.
Brenda kësaj historie diktaturat fusnin luftën, dhe ndërtimin socialist si përmbajtje të ligjit. Dhe në emër të këtij triumfi i likuidonin armiqtë apo dënonin ata që dëmtonin këtë pasuri. Po Ilir Meta dhe Sali Berisha çfarë historie kanë ndërtuar në këtë vend ? Historia e tyre është vetëm ajo e atyre që me prova i vë me shpatulla për muri se kanë vjedhur, kanë vrarë dhe kanë dhunuar demokracinë. Këto janë provat publike. Sot drejtësia ka dyshimin dhe po heton siç thuhet edhe për shkelje të ligjit nga Ilir Meta.
Militantët e Ilirit dhe Saliut dhe ata që i mbështesin nëpër studio kanë të drejtën e tyre që të thonë çfarë të duan nga mëngjesi në darkë. Ilir Meta, me qenë se është nga të parët që ka kërkuar demokracinë duhet t’i qetësonte dhe të priste sepse deri në një vendim të formës së prerë ai prezumohet i pafajshëm. Pse ndjehet viktimë Ilir Meta dhe përsë Sali Berisha kërkon të nxjerrë njerëzit në rrugë nëse preket Ilir Meta ? Ajo që dihet është kjo : këta dy njerëz që i patëm në krye të vendit në këta 30 e ca vjet vetëm një gjë nuk kuptuan se demokracia edhe atëherë kur ti e dhunon, ajo funksionon dhe nga kjo botë nuk largohet askush pa i larë ato që ka bërë.