Nga Mero Baze/
I njohur gjerësisht me emrin e tij politik Ilir Meta, në dokumentet zyrtare pas vitit 2015, Ilir Meta ka nisur të vet deklarohet me emrin e tij të vjetër Ilir Metaj.
Një ngatërresë të tillë e ka pasur dhe Sali Berisha me emrin e vjetër të regjistruar si “Salih” dhe me dy ditëlindjet e veta, atë të vërtetën më 1 Korrik 1944 dhe atë tjetrën më 15 tetor që e ka afruar me shpresë të bashkonte ditëlindjen me Enver Hoxhën. Por ai është detyruar t’i deklarojë si të korrigjuara.
Formulari ynë për dekriminalizimin, i detyron politikanët të deklarojnë nëse ata kanë përdorur ndonjë herë ndonjë emër tjetër qoftë dhe jo zyrtarisht. Sipas pikës B, “mosdeklarimi i ndonjë gjeneraliteti sipas kësaj pike që mund të pengoj verifikimin sipas dispozitave të ligjit nr 138/2015 përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal.
Po çfarë ka ndodhur me politikanin Ilir Meta (Metaj)?
Ai është diplomuar me mbiemrin Metaj, pastaj ka hyrë në parlament me mbiemrin Meta dhe ka prodhuar dhe pasaportë diplomatike me këtë emër dhe këtë gjeneralitet për vite të tëra. Kështu ai njihet gjerësisht në opinion si Ilir Meta.
Kthesa e tij e papritur ka nisur pas miratimit të ligjit për dosjet më 2015, kur befas në formularët e deklarimit të pasurisë ai firmos me Ilir Metaj
Pra ne tani kemi dy formularë të tij, atë të vitit 2010 fjala vjen ku ai nënshkruan me Ilir Meta dhe atë të vitit 2016 ku ai firmos me Ilir Metaj, ndërkohë që në publik mban emrin Ilir Meta.
Pra momenti i kthesës për të është viti kur miratohet ligji për dosjet, pasi LSI bëri dhe një amendament që e mbron atë nga verifikimi pasi është kontrolluar nga Komisioni Mezini e Bezhani.
Turbullimi i Ilir Metës nga miratimi i ligjit është i dukshëm dhe duket se është përpjekur të krijojë sa më shumë konfuzion rreth emrit të tij, që në rast se dikush të ndeshte atë, të krijonte idenë e një personazhi tjetër.
Ky gjest krijon dy probleme.
Problemi i parë është ligjor. Me këtë që ka bërë Ilir Meta është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe duhet të ndiqet penalisht pasi nuk e ka deklaruar ekzistencën e emrit tjetër të tij. Kjo është e thjeshtë dhe e verifikueshme.
Por kjo është çështje ligjore dhe e zgjidh Prokuroria që duhet ta konsiderojë publikimin e këtyre dokumenteve zyrtare si fakt që mund të verifikohet lehtë.
Ana tjetër e errët e problemit, është se Ilir Meta është në panik për emrin e tij të dytë pasi e di që është i inkriminuar dhe është përpjekur të ngjallë konfuzion, herë duke e përdorur në dokumente formale e herë duke e fshehur në opinion publik. Turbullimi që i ka krijuar ligji i dosjeve në atë kohë është i qartë dhe e ka çuar atë drejt një konflikti ligjor që gjithsesi edhe pse e penalizon nuk është aq i rëndë për ta, sa e shkuara e tij.