Më 24 korrik ditën që Ilir Meta shënonte ditën e fundit në Presidencë, në adresën elektronike të Autoriteti të Dosjeve mbërrin një e-mail nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E-maili informonte institucionin se personi Ilir Rexhep Meta ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Ngjarja krijoi një debat të madh, ku vetë ish-presidenti e mohoi ndërsa akuzoi Ramën se po inskenon një trillim kundër tij.
Rama iu përgjigj me një letër të gjatë Metës ku theksonte se si e promovoi Ilir Meta te Dosjet Genta Sulën, që sot e quan patronazhiste
E-maili i sjellë sot nga Vox News e që trazoi fort ujërat e politikës shqiptare, pasoi me një shkresë nga Autoriteti Dosjeve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën kërkohet të ndryshohet ligji për verifikimin e figurave politike të verifikuara një herë nga komisionet e mëparshme, duke iu referuar këtu zyrtarit të lartë, ish presidentit Ilir Meta.
Autori i e-mailit i cili flet me detaje, thotë se Ilir Meta në bashkëpunim me Sali Berishën tentoi të zhdukte dosjen e tij, por “një dorë e “mistershme” e shpëtoi atë nga djegia e plotë”.
“Nuk u duhet të mundoheni shumë i nderuar Autoritet! Mjafton të drejtoheni në raftin e duhur ku keni të shkretin Filip Talo viktima e shokut të shkollës Ilir Meta! Aty do të gjeni si studenti i Ekonomikut, spiuni i dhjetorit, Ilir Meta pajisej nga Sigurimi i Shtetit me përgjues në trup për të marrë në qafë shokët e tij”, shkruhet ndër të tjera në email, raporton Vox News.
***
Washington DC 24 korrik 2022
I nderuar Autoritet i Dosjeve! Denoncojmë se kemi dijeni se dosja e sigurimit të xhambazit Ilir Rexhep META nuk është zhdukur e gjitha. Me ndihmën e Sali Ram BERISHES (i cili zhduku me bekimin e Ramiz ALISE dosjen e gruas së tij serbe) dhjetoristi i infiltruar Ilir META zhduku dosjen e tij. Këtë ti Autoritet i nderuar mund ta vërtetosh, nëse nuk je komplet i kapur nga Katovica dhe nga paratë e zeza të Ilir Floririt.
Në dimë që ky kameleon i të gjitha kohërave dhe zullumeve ja ka marrë Edvin Kristaq Ramës në marrëveshjen e koalicionit, kompetencën për të zgjedhjet e Autoritetit të Dosjeve. Mbase Edvini e ka ditur nga amerikanët faktin e dosjes së zhdukur me kohë prandaj nuk e ka çarë kokën… (po amerikanët askujt nuk ja thonë të tëra dhe kush s’di këtë s’di nga lidhet gomari i politikës).
Vetëm për të kontrolluar ty i nderuar Autoritet, Like Floriri kishte infiltruar në grupin e deputetëve të Rilindjes shokun Spartak Braho, dora e zezë e hetuesisë komuniste që çoi në botën tjetër Dritan Priftin. Megjithëse e kishte zhdukur dosjen, Ilir donte të kishte kontroll të plotë mbi çdo lëvizje brenda Autoritetit. Ky është një fenomen i njohur në botën e krimit. Krimineli nuk e harron kurrë vendin e krimit.
Po ja që një dorë e “mistershme” paska shpëtuar nga djegia e dosjes atë që duhet për ta demaskuar përgjithmonë këtë turp të Shqipërisë. Nuk u duhet të mundoheni shumë i nderuar Autoritet! Mjafton të drejtoheni në raftin e duhur ku keni të shkretin Filip Talo viktima e shokut të shkollës Ilir Meta! Aty do të gjeni si studenti i Ekonomikut, spiuni i dhjetorit, Ilir Meta pajisej nga Sigurimi i Shtetit me përgjues në trup për të marrë në qafë shokët e tij.
Ne ju japim vetëm 24 orë për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur dinjitetin e Autoritetit të Dosjeve!
Tregojani shqiptarëve të vërtetën mbi kryexhambazin Ilir Rexhep Meta ose do të turpëroheni botërisht. Tani që iku nga Presidenca nuk ju bllokon dot me ndonjë nga ato makinacionet e tij prej sigurimsi të rrahur me vajin e korrupsionit dhe me uthullën e krimit. Nëse pastaj ti Autoritet je i kapur për fyti nga Like Floriri siç u kap Shqipëria 30 vjet, shqiptarët do të gjykojnë vetë kur ne të bëjmë punën që ligji e kërkon nga juve. Në pritje. Numërimi filloi./ voxnews.al/