11 ish deputetë të PD-së kërkuan në vitin 1999 dosjen e Berishës si bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit. Dy prej tyre rezultuan vetë spiunë. Autoriteti i Dosjeve ka gjetur 264 materiale për politikanë, zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë.

Ilir Meta po pranon gradualisht se ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar shokët e tij të klasës. Meta e përjetoi me nervozizëm dhe shpërtheu me një fjalor banal pas nismës ligjore të socialistëve për të larguar spiunët nga politika dhe Kuvendi. Por, figura të Partisë Demokratike kanë dyshime të forta se edhe Sali Berisha, aleati kryesor sot i Ilir Metës, ka qenë agjent i ish Sigurimit të Shtetit. Madje, deputetë dhe ish deputetë të PD-së, sot bashkëpunëtorë të Berishës, kanë kërkuar me këmbëngulje dosjen e pretenduar të Berishës si spiun i ish Sigurimit të Shtetit.

Bëhet fjalë për deputetin Tritan Shehu dhe ish deputetin Genc Pollo, të cilët u përplasën me Berishën në vitin fund të vitit 1998, për drejtimin e PD-së. Konflikti u përshkallëzua në vitin 1999, kur Pollo tentoi të sfidonte Berishën për kreun e PD-së. Pollo u tërhoq në momentet e fundit, duke marrë me vete një mëri të madhe politike, e cila çoi në shkëputjen e një grupi deputetësh nga PD-ja, me në krye Pollon dhe Tritan Shehun, duke krijuar më pas një parti të re.

Pas ndarjes, Genc Pollo u angazhua për të zbuluar një dosje të pretenduar të Sali Berishës si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Në emër të grupit të deputetëve të PD-së, Pollo shkoi një ditë në zyrën e Nazif Bezhanit, kryetar i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të larta, për lidhjet e tyre me ish-Sigurimin e Shtetit.