Finalizohet nga strukturat e DVP Durrës, faza e dytë e këtij operacioni. Shkon në 19 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar në kuadër të këtij operacioni, të zhvilluar më datë 19 maj 2022.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se gjatë fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Golden bullet” u arrestua, nga strukturat e DVP Durrës, shtetasi Agimi Gjini.

Si rezultat i këtij operacioni, më 19 maj, u ekzekutuan 18 urdhra të lëshuar nga SPAK.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, shërbimet operacionale të DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas të kërkuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden bullet”, organizuan dhe finalizuan fazën e dytë të këtij operacioni.

Si rezultat u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. Gj., 49 vjec, banues në Durrës.

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden bullet”.

Operacioni i koduar “Golden bullet” u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe nisi menjëherë pas arrestimit të të shumëkërkuarit, shtetasit Nuredin Dumani, i cili u arrestua si rezultat i operacionit policor të koduar “Arratia”, operacion i cili u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.