Euronews e vendosi në ballinë takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Mediumi me seli në Francë, përballjen në Bruksel e përshkroi se si rivalët e kohës së luftës, Serbia dhe Kosova, po mbajnë bisedime të nivelit të lartë të krizës të enjten, që ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian shpresojnë se do të depërshkallëzojnë tensionet në rritje në Ballkan, ku Rusia është përpjekur të rrisë më tej ndikimin e saj në mes të luftës në Ukrainë.

Më tej thuhet se shpresat, që ky takim i rrallë kokë më kokë, midis presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, mund të prodhojë një përparim të madh, janë të pakta.

Por zyrtarët që mbikëqyrin ngërçin prej dekadash midis dy fqinjëve shpresojnë se kjo të paktën do të reduktonte retorikën gjithnjë e më nxitëse të luftës që vjen nga të dyja palët.

Euronews citoi zëdhënësen e Komisionit Evropian për Punët e Jashtme Nabila Massrali, e cila u tha gazetarëve se “Të dyja palët duhet t’i japin fund armiqësive të tyre në këtë pikë” dhe “të veprojnë me përgjegjësi”.Ky medium theksoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili takoi veçmas Vuçiqin dhe Kurtin në Bruksel të mërkurën, ku tha se trupat e udhëhequra nga NATO të stacionuara në Kosovë kanë forcuar praninë e tyre në kufirin verior të Kosovës me Serbinë për shkak të tensioneve aktuale.