Çfarë vjeshte e vështirë po afron për liderët europianë! Problemet që dominonin përpara se institucionet e BE-së të merrnin pushimet verore janë po aty. Madje në rendin e ditës janë shtuar probleme të reja. Lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon. Dhe mundësia që ajo të marrë fund apo edhe që diplomacia të luajë ndonjë lloj roli, nuk duket ende gjëkundi.
Sa u përket viktimave, zhvendosjes së brendshme dhe milionave të detyruar të largohen nga vendi, shkatërrimi që prodhon çdo ditë kjo luftë është i pandërprerë. Dhe e gjitha kjo dramë po ndodh përgjatë kufijve të BE-së. Edhe kriza energjiitike po vazhdon, pasi Rusia vijon të reduktojë furnizimet e saj me gaz për Europën.
Qëllimi i Moskës është ta përdorë energjinë si një armë gjeostrategjike dhe politike. Me rritjen e çmimeve të energjisë, do të shtohet edhe presioni mbi qeveritë europiane për të zbutur kostot për konsumatorët. Ndikimi i këtyre çmimeve, nuk është përkthyer ende në një ndikim të prekshëm politik negativ.
Një ndikim i tillë, është pikërisht ajo që shpreson presidenti Vladimir Putin. Kremlini mund ta fajësojë për krizën sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Deri më tani, blloku ka qenë i bashkuar në politikën e tij të sanksioneve. Rritja e faturave të energjisë, mund ta ndryshojë situatën.
Kjo është arsyeja pse ka rëndësi kriza politike aktuale në Itali. Fantazma e një qeverie të krahut të djathtë – dhe miqësore me Rusinë – që e merr pushtetin në Romë, pas një besimi të krijuar nga qëndrimi afatshkurtër i Mario Dragit si kryeministër, duhet t’i shqetësojë liderët e BE-së.
Si një forcë e madhe ekonomike në Bashkimin Europian, zhvillimet në Itali po vëzhgohen nga afër, nëse mos po ndikohen direkt nga Rusia. Ajo që dëshiron Putini, janë përçarjet në një vend të rëndësishëm të BE-së. Dhe Roma mund të jetë pre e lehtë për Moskën.
Qeveritë evropiane nuk po e nënvlerësojnë aspak faktin, se si ndikimi i çmimeve të larta të energjisë, i kombinuara me inflacionin në përgjithësi, do të ndikojë tek opinioni publik në Itali por edhe në vende të tjera, për të mos përmendur brishtësinë e ekonomive të eurozonës.
Nisur nga kjo dinamikë, zëvendës/kancelari dhe Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habek, ka blerë sa më shumë gaz që ka pasur mundësi këto kohë, për të mbushur depozitat e gazit në vend përpara se të fillojë dimri. Vizita e tij 3-ditore në Kanada së bashku me kancelarin Olaf Sholc, nuk ka të bëjë vetëm me kërkimin e furnizimeve alternative të energjisë, pasi Gjermania e ka kuptuar më në fund koston e varësisë së saj prej dekadash nga gazi rus.
Kjo vizitë ka të bëjë edhe me përpjekjen për të mbështetur një Perëndim, që po testohet fort nga lufta e Rusisë në Ukrainë, por edhe nga Kina, sidomos për shkak të synimeve të kësaj të fundit në lidhje me Tajvanin. Tensionet midis Pekinit dhe Taipeit, pasqyrojnë gjendjen e rrezikshme të marrëdhënieve midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Kjo nuk është vetëm një marrëdhënie e bazuar tek konkurrenca dhe dy grupe sistemesh vlerash që janë krejtësisht të ndryshme. Është një raport që do ta përçajë më tej Perëndimin – dhe kjo përfshin vendet e Azisë Juglindore – ose do t’i bindë qeveritë perëndimore të veprojnë në një mënyrë strategjike kur bëhet fjalë për Kinën.
Strategjia nuk është pika më e fortë e Evropës. Për këtë mjafton të shihni rekordin negativ të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ku iu la sërish në dorë NATO-s të përpiqet t’i japë fund përplasjes më të fundit të rrezikshme midis Serbisë dhe Kosovës, që u shkaktua edhe një herë nga marrëveshja për njohjen reciproke të targave të makinave midis të dyja vendeve.
Kur flitet për Kinën, BE-ja ka arritur njëfarë mënyre që ta rishikojë politikës së saj ndaj Pekinit. Brukseli nuk është më naiv në lidhje me ndikimin ekonomik, politik dhe investues të Kinës apo edhe ideologjinë e saj luftarake autoritare. Gjithsesi, BE-ja ka nevojë për një strategji të qëndrueshme për Pekinin dhe rajonin.
Ajo që po ndodh në Detin e Kinës Jugore, prek jo vetëm rrugët kryesore të transportit tregtar, të cilat janë jetike për aq shumë ekonomi, por edhe lidhjet tregtare në rritje të Evropës me Tajvanin. Më në thelb, në rrezik është siguria dhe stabiliteti në këtë pjesë të Azisë.
Evropianët nuk kanë luksin që të presin duarkryq shpërthimin e një krize të re sigurie apo ushtarake. Prandaj duhet që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, por edhe Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Zelanda e Re dhe vende të tjera të rajonit të hartojnë një politikë të përbashkët për Kinën, e cila të jetë strategjike, dhe jo reaktive, pra reaguese në momentin që ndodh diçka e rëndë.
Ndoshta ky i imi është një mendim i dëshiruar, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin e administratës se presidentit amerikan Xho Bajden ndaj Pekinit. Por debatet dhe “vringëllimat e shpatave” midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do ta dobësojnë Perëndimin, duke e lënë Evropën të bllokuar në aspektin strategjik. E tillë është pra vjeshta me të cilën pritet të përballet së shpejti Bashkimi Evropian.