Bashkimi Evropian është bërë më i fuqishëm pas disa krizave që ka kaluar. “Evropa ekonomike” ka evoluar në një monedhë të vetme të fortë dhe të qëndrueshme, duke i bërë një kujtim të largët zhvlerësimet e mëdha të monedhave në epokën e sistemeve fleksibël të kursit të këmbimit.
Dhe që nga kriza e borxhit sovran të eurozonës, blloku e ka forcuar sistemin e tij financiar por edhe mjetet monetare. Kohët e fundit, në kundërpërgjigje ndaj krizës që shkaktoi pandemia e Covid-19, BE-ja ka zhvilluar struktura ekonomike konvergjente dhe një kapacitet buxhetor të përbashkët.
Ajo realizoi blerjen e përbashkët të vaksinave anti-Covid, dhe hodhi bazat për një “union të shëndetit”. Dhe tani, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, përveç zbatimit të shpejtë të sanksioneve të vendosura kundër Moskës, BE -ja ka ndërmarrë veprime konkrete në 4 fusha.
Së pari, në “Evropën e mbrojtjes”. Bashkimi Evropian po mbështet një dimension të ri në fushën e mbrojtjes. Pas samitit të Versajës në muajin mars, BE-ja ka përforcuar, rritur dhe koordinuar investimet kombëtare dhe evropiane në lidhje me aftësitë e mbrojtjes.
Po ashtu, ka krijuar nisma të përbashkëta financimi siç është Fondi Evropian i Mbrojtjes, dhe një strukturë organizative të re për t’iu kundërpërgjigjur rreziqeve kibernetike. Votimi pro në referendumin e qershorit në favor të anëtarësimit të Danimarkës në politikën evropiane të mbrojtjes, është një shenjë e kësaj dinamike përshpejtuese.
Së dyti, në “Evropën e sovranitetit industrial”, e fokusuar tek energjia, teknologjia dixhitale dhe sektorët industrialë. Gjatë muajve të ardhshëm, Evropa do vazhdojë të zvogëlojë në mënyrë drastike varësinë e saj energjetike nga Rusia përmes kursimeve të koordinuara të energjisë, siç janë miratuar nga Këshilli i BE-së në fund të muajit korrik, diversifikimit të furnizimeve dhe mekanizmave të solidaritetit, bazuar në nevojat energjetike që ka çdo shtet anëtar.
Ky proces do të nisë ta bëjë një realitet të prekshëm unionin energjitik. Por është vetëm fillimi. Strategjia e përshpejtuar e tranzicionit energjetik, e miratuar në samitin e qershorit, do të jetë thelbësore për të siguruar që sovraniteti evropian i energjisë të ndërtohet mbi një bazë të qëndrueshme.
Për më tepër, falë pjesërisht programit “Gjenerata e Ardhshme” të BE me një vlerë 750 miliardë eurosh, të nisur në vazhdën e krizës së Covid-it, programet në mbarë Evropën po ndërtojnë gjithashtu aftësi të forta në fushat e teknologjisë dixhitale, shëndetit, përdorimit të hidrogjenit si burim energjie si dhe të gjysmëpërçuesve.
Për të ndihmuar në mbështetjen e investimeve në shkallë të gjerë dhe shumë të nevojshme mbi këto plane të mbrojtjes dhe industrisë, duhet të ndryshojnë rregullat fiskale të BE-së, siç argumentuan me të drejtë dhjetorin e vitit të kaluar kryeministri italian Mario Dragi dhe presidenti francez Emanuel Makron.
Së treti, mbi “Evropën e demokracisë”. BE-ja do të vazhdojë që të konfirmojë identitetin e saj si një fuqi demokratike e ankoruar fuqishëm tek parimi i sundimit të ligjit. Ajo nuk ka bërë dhe as nuk do të bëjë ndonjëherë asnjë kompromis mbi ato, brenda dhe jashtë Evropës, me ata që synojnë të pengojnë lirinë dhe integritetin e proceseve tona zgjedhore, të sistemeve tona të pavarura dhe të paanshme të drejtësisë, apo të luftës kundër korrupsionit.
Së fundi, ekziston edhe “Evropa si një fuqi gjeopolitike”. BE-ja duhet të shndërrohet në një “spirancë të stabilitetit” për kontinentin evropian në tërësi. Nuk mund të ketë më masa gjysmake në mesin e luftës hibride që zhvillon Rusia ndaj nesh. Pra lufta imperialiste e saj në Ukrainë, dhe përdorimi i energjisë dhe ushqimit si një armë për të destabilizuar të gjithë botën.
Pikërisht në këtë kontekst që ne duhet të kuptojmë hapin historik të dhënies së statusit kandidat të Ukrainës dhe Moldavisë, njohjes së perspektivën evropiane për Gjeorgjinë, si dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
BE-ja duhet ta bëjë Ballkanin Perëndimor pjesë të familjes evropiane, së cilës ata i përkasin gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne nuk jemi naivë:E dimë se BE-ja duhet të reformohet për të qenë në gjendje të operojë me efikasitet dhe efektivitet në një Evropë më të zgjeruar.
Kjo sfidë ka të bëjë me qeverisjen institucionale, vendimmarrjen, dhe rishqyrtimin e rregullit të votimit unanim dhe atij me shumicës së cilësuar në fusha të caktuara të politikës së përbashkët evropiane të sigurisë, ose në çështjet tatimore.
Ky është edhe qëllimi i Komunitetit Politik Evropian të propozuar nga Makron:të konsolidojë stabilitetin evropian përmes bashkëpunimit për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, dhe ndërlidhjeve në tregti, kërkim dhe arsim.
Zhan Mone, një nga arkitektët origjinalë të integrimit evropian, tha dikur frazën e famshme: “Evropa do të farkëtohet gjatë krizave, dhe do të jetë shumatore e zgjidhjeve të përdorura për ato kriza”. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe vlerave evropiane, e ka bërë transformimin e Evropës në një fuqi politike globale një prioritet kolektiv urgjent për të gjithë ne.
Nga Laurence Boone – Ministër i Shtetit për Evropën në qeverinë franceze./ CNA.al/