Teknikut legjendar të Manchester United, skocezit Sir Alex Ferguson i është dashur të shkojë e të dëshmojë në gjyqin që ka për protagonist ish-yllin e ekipit të tij, Ryan Giggs, i cili përballet me akuzat për dhunë ndaj ish të dashurës Kate Greville.
Britanikja “The Times”, zbulon se Sir Alex dëshmoi në mbrojtje të Giggs sot, duke i thënë jurisë se ai kishte një “temperament fantastik” dhe kurrë nuk e kishte humbur durimin ose nuk ishte shfaqur agresiv para tij në vitet e gjatë që kaluan së bashku te klubi i “Djajëve të Kuq”.
Ishte vetë 48-vjeçari Giggs që thirri ish-menaxherin e tij te Manchester United si dëshmitar pasi u akuzua për përdorimin e sjelljes kontrolluese kundër Kate Greville, të dashurës së tij në atë kohë, duke përfshirë periudha të dhunës dhe agresionit seksual.
Giggs, i cili mohon kryerjen e akteve të tilla ndaj Greville, akuzohet gjithashtu se ka goditur me një laptop në kokë 38-vjeçaren, dhe se ka sulmuar motrën e saj më të vogël Ema gjatë një debati në rezidencën e tij në Manchester më 1 nëntor 2020.
Ndërkohë, Ferguson, i cili fitoi 38 trofe me Manchester United, duke përfshirë 13 tituj të Premier League, i tha jurisë se Giggs kishte qenë “pa dyshim shembulli më i mirë që kishte në klub” gjatë karrierës së tij.
“E përdorja shumë Ryan-in në kuptimin që kur humbja durimin për performancën e dobët të ekipit, ndonjëherë do ta tregoja figurën e tij si shembull. E dija se ai mund ta përballonte agresivitetin, ai ishte mjaft i fortë”, rrëfeu tekniku legjendar.
Ferguson gjithashtu i tha gjykatës se Giggs kishte një “temperament fantastik”, duke shtuar: “Për të pasur një karrierë për aq kohë sa ai kishte në një pozicion të vështirë sa i përket energjisë, ai përmbushi gjithçka që kishim dëshiruar”.
I pyetur nga avokati i Giggs, Chris Daë QC nëse ai e kishte parë ndonjëherë futbollistin uellsian “të humbiste durimin ose të bëhej agresiv”, Ferguson u përgjigj shkurt edhe prerë duke thënë: “Jo”.
Por, po sot gjykata dëgjoi përmbajtjen e letrës së “lamtumirës përfundimtare” drejtuar Giggs të shkruar nga Greville më 29 tetor 2020, tre ditë para se ai të dyshohej se e ka sulmuar atë fizikisht.
Letra, e titulluar “The Final Goodbye”, detajon tradhtitë e supozuara të ish-futbollistit të Manchester United me të paktën tetë gra.
Greville e përshkruan në letër Giggs-in si një “gënjeshtar dhe mashtrues serial”, duke i thënë: “Ndërgjegjja im gjithmonë më thoshte se nuk mund të të besohej”.
“Ti më thoshe vazhdimisht se dëshiroja të isha e lumtur, por ne vajzat gjithmonë mund ta dallojmë kur një burrë gënjen dhe mashtron. Një këshillë: Nëse doni të jeni të lumtur me dikë, jini të sinqertë. Mos mashtroni”, thuhet më tej në letër.
Ndërkohë, duke dhënë dëshmi në fillim të javës, Giggs u vet shpall si “mashtrues dashurie” dhe i tha jurisë se kishte qenë i pabesë në të gjitha marrëdhëniet e tij të mëparshme, por nuk kishte sulmuar kurrë një grua fizikisht apo dhunuar psikologjikisht.
Ai tha se kurrë nuk kishte mundur t’i rezistonte interesimit të një gruaje tërheqëse dhe pranoi ndër të tjera se ishte një “flirt nga natyra”. Ish-ylli i United konfirmoi se kishte gënjyer më shumë se një herë ish-gruan e tij Stacey dhe Greville, ndërkohë që gjyqi vazhdon.