Ferrari duket se ende nuk është dorëzuar në garën për titullin kampion të pilotëve, me skuderinë italiane që i ka ndryshuar sërish motorin makinës së Sharls Lëklerk.

Kjo gjë sjell që piloti monegask do të niset nga vendi i fundit në Çmimin e Madh të Belgjikës që rinis dhe njëherë garat pas pushimeve.

Motori që do të instalojë Ferrari në makinën me numër 16 të Lëklerk do të jetë me një sistem të ri hibrit, i cili do t’i garantojë atij më shumë fuqi në parakalime.

Gjithsesi kjo garë nuk pritet të jetë aspak e lehtë, ashtu siç ndodhi në Montreal, ku u nis nga vendi i fundit dhe e përfundoi në vendin e 5-të.

Momentalisht Lëklerk ndodhet në vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të pilotëve, me 178 pikë, 80 më pak se rivali i tij, Maks Vershtapen dhe duket se do ta ketë shumë të vështirë për t’i rrëmbyer holandezit titullin kampion nga duart.

Nga ana tjetër, për sa i përket konstruktorëve, Ferrari ndodhet në vendin e dytë, me 334 pikë, ndërsa Red Bulln në vendin e parë me 431 pikë, por “Kokëkuqja” duket se tashmë do të duhet të luajë për vendin e dytë, teksa ndiqet nga Mercedez, me gjermanët që ndodhen vetëm 30 pikë mbrapa.