Transformimi rrënjësor i drejtorive të Shërbimeve të Transportit Rrugor po vijon në të gjitha qytetet e vendit.

Edhe në Fier, zyrat e vjetra dhe të amortizuara janë transferuar tashmë në godinën e re, e cila është ndërtuar me standardet më të larta të infrastrukturës, të projektuara pikërisht për shërbime të tilla.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot përmes rrjeteve sociale pamje të këtij transformimi, ndërsa solli në vëmendje edhe gjendjen e degraduar të kësaj godine më parë.

“Transformimi i kompleksit të Kontrollit Teknik e Fizik të automjeteve në DRSHTRR Fier për 67,000 drejtues mjetesh”, shkruan Rama.

Investimi i vjen në ndihmë punonjësve dhe qytetarëve dhe projekti është pjesë e paketës së transformimit të Shërbimeve të Transportit Rrugor anembanë vendit.

Kjo drejtori është një ndër më të rëndësishmet në vend, referuar numrit të madh të qytetarëve që marrin shërbim pranë saj gjatë një viti.

Investimi i ri në këtë godinë përfshin sallë të re për lejedrejtimi me 10 poste shërbimi, klasë e re e marrjes në provim me 25 poste për kandidatët dhe zyra shërbimi.