Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur të tjera detaje nga aksioni i policisë për arrestimin e 28-vjeçarit turk Faruk Ozer, i akuzuar për mashtrim me vlerë miliona euro me kriptomonedhat.
Mësohet se i riu ka qenë duke pushuar në plazhin e Himarës. Policia shqiptare ka marrë informacion për vendndodhjen e tij në Jug të vendit, por edhe për lëvizjet e tij në disa qytete të ndryshme pas arratisjes më 20 prill të vitit 2021 nga Turqia.
Që nga ajo kohë shtetasi turk fshihej në vendin tonë, ndërsa banesa e tij e fundit ka qenë në lagjen “5 maji” të Elbasanit.
“Nga burime më bëjnë me dije se ishin lokalizuar lëvizjet e turkut që kishte qëndruar në zona të ndryshme. Pak kohë më parë kanë ardhur disa oficerë nga Turqia për t’i dhënë mbështetje policisë shqiptare në gjetjen dhe arrestimin e tij”, raportoi Çelmeta.
Ndërkohë, mësohet se në momentin e arrestimit Ozer ka qenë në shoqërinë e një personi tjetër me inicialet E.H. Ai gjithashtu është arrestuar pasi e ndihmonte të fshihej duke i gjetur banesa të ndryshme, por dhe për tu larguar nga vendi ku qëndronte në momentet kur merrte informacion se policia do të ndërhynte për ta arrestuar.