Qeveria gjermane ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vazhdimin e luftimeve në zonën përreth centralit bërthamor të Zaporizhzhyas në Ukrainë.

“Natyrisht, qeveria gjermane është e shqetësuar për shkak të informacionit qe kemi marrë nga Ukraina lidhur me këtë çështje, saktësisht luftimet që po zhvillohen aktualisht përreth centralit bërthamor”, deklaroi sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Hebestreit nënvizoi që qeveria gjermane vazhdimisht “ka bërë thirrje të gjitha palëve të ndalojnë këto bombardime jashtëzakonisht të rrezikshme.”

Situata e sigurisë përreth centralit bërthamor, që është pushtuar nga trupat ruse që prej muajit mars, është përkeqësuar ditët e fundit për shkak të bombardimeve të reja kundër impiantit më të madh bërthamor të Europës një ditë më parë.

Kiev dhe Moska akuzojnë njëra-tjetrën për sulmet, që deri më tani nuk e kanë dëmtuar infrastrukturën kritike të centralit.