Nga Ibër Kelmendi

Nuk do shumë mend të kuptosh se gjuha e komunikimit publik të Ilir Metës, domethënë e Ilir Metajt, sepse ky person mbart dy emra, është dëshmi e një mjerimi intelektual alarmant. Në fakt togfjalëshi “mjerim intelektual” nuk e thotë të plotë atë se ç’ka është në të vërtetë intelektualisht Ilir Meta, domethënë Ilir Metaj, sepse ky person mbart dy emra, e përcaktimi i duhur duhej të ishtë “injorancës intelektuale”.

Mirëpo, mua nuk më lejohet t’i thyej do caqe etike që janë për një njeri që rreket të kumtojë publikisht kode të barazflefshme me vijat e bardha për vozitësit e mjeteve të transportit në udhë.

Duke e dëgjuar ish- kryetarin e Shqipërisë Ilir Meta, domethënë Ilir Metaj, sepse ky person i bart dy emra, ndjesia e parë që të kaplon të gjithin është keqaardhja jo për personin me dy emra e dy identitete që quhet Ilir Meta, domethënë Ilir Metaj, po për veten dhe për secilin shqiptar që duhet me e duru këtë nivel të shprehjes publike e politike që gjallon ndër ne moti e që shërben që edhe të tjerët të na masin e vlerësojnë prej standardit gjuhësor, përkatësisht edhe intelektual të Ilir Metën apo Ilir Metajt.

Edhe ata që vijnë apo përfaqësojnë grupet e rrugës e të botës së errët të krimit, pra ata që njihen si të fortët e lagjes apo të rrugës, prej nevojës për me komuniku me qytetarët e me u prezantu para atyre si nivel i barabartë më sëpaku, kanë hequr dorë prej ngrefosjes me zhargonin e injorantëve. Niveli i përgjithshëm kulturor i shoqërisë, cilësia e komunikimit virtual e prania në rrjetet sociale i ka bërë ata më trendy.

Mjerisht Ilir Meta apo Ilir Metaj, meqë ky individ i bart të dy identitetet që shprehin dy emrat e tij, nuk iu vjen afër as më injorantëvë në përdorimin e gjuhës si mjet të komunikimit publik. Ai u shfaq edhë më sëfundi në një takim me një grup njerëzish të prezantuar si partia e lirisë së Tiranës i njejti me atë që edhe më parë ka folur me zhargonin e viteve 1992-1996. Si një nga çunat e Pazarit të Ri, ai na dëshmoi se gjuha e tij është si gjuha e Shik Stërmasit, siç e tha vetë, dhe se prej këtij Shikut e paska mësuar se për t’u treguar shokëve se sa i zoti je, duhet me e qëllu më të fortin.

Dhe ish- kryetari i Shqipërisë Ilir Meta, domethënë Ilir Metaj, e tha vetë me zë e figurë: “Unë i bie më të fortit edhe e këpus në mes”!

Në kushte normale, ata që ishin të pranishëm dhe po e dëgjonin në atë sallë ku po ligjëronte ish kryetari i Shqipërisë Ilir Meta, pra edhe Ilir Metaj, do të duhej të ishin ngrit e të largoheshin nga salla në shenjë revolte e mospranimi për gjuhën e dhunshme, për gjuhën prej rrugaçi ordiner, për gjuhën që e barazon atë me personazhet e botës së krimit si grupit kriminale të njohura me nickname të tipit “Çunat e rrugës Bardhyl”, “Çunat e rrugës së Durrësit”, “Çunat e Vorrit t’Bomit”, “Çunat e Babrrusë”, “Çunat e Niklës”, e tash sëfundi edhe “Çunat e Pazarit të Ri”.

Mirëpo ata/ato, se aty kishte edhe gra, jo vetëm nuk ikën, por mjerisht e duartrokitën njeriun me dy emra, pra edhe me dy identitete, duke i shprehur atij miratim, mbështetje, përkrahje, solidaritet. Kjo është edhe më e rëndë, edhe më e dhembshme, edhe më tragjike.

Se Ilir Meta, sado e sido që t’i ndrrrojë apo përdor emrat, ai është siç ka qenë e siç e kemi parë e njohur të gjithë; me atë gjuhë e me atë sjellje si prej një njeriu të rrugës. Ndërsa ata të tjerët pse janë kaq të mjerë e kaq të padinjitet sa pranojnë të dhunohen e të poshtërohen prej një njeriu që flet para tyre si shembëlltyrë e injorancës qytetare dhe e mjerimit intelektual?!

Njeriu me dy emra, Ilir Meta ish- kryetar i Shqipërisë, dhe Ilir Metaj, ish- spiun, i përfshirë nga paniku i të shkuarës së vet që po shpërfaqet në sytë e të gjithëve, ka zgjedhur të na dëshmojë përmes ligjërimit të vet publik arsyet se përse jo vetëm nuk duhet besuar, po përse duhet neveritur siç neverit një shoqëri e civilizuar llomin e vet.