‘Ilir Meta ka fshehur miliona euro tek shtëpia e Luan Pobratit’! Kështu shkruante në një postim në rrjetet sociale ish-deputeti Halit Valteri, ndërsa në lidhje me këto deklarime të tij ka reaguar i biri i Luan Pobratit, Klevi Pobrati.
Në një postim në rrjetet sociale, Pobrati thotë se qysh para vitit 2011 e deri sa u nda nga jeta në 5 maj të këtij viti, babai i tij ka qenë i papunë dhe pa kontakte me politikanë të rangjeve të larta.
‘Një ditë më parë në media dhe në disa portale është cituar një status i ish-deputetit Halit Valteri. Sipas tij i ndjeri babai im, Luan Pobrati ka strehuar në një dhomë të madhe të shtëpisë sonë miliona euro të Ilir Metës. Kjo paska ndodhur në vitin 2011 kur ne banonim në Rrugën e Kavajës në një apartament 1+1.
Sipas versionit të ish-deputetit, unë paskam fjetur mbi euro. Mirë do të kishte qenë se ndofta do kisha parë ëndrra të çuditshme, por jo. Nuk e njoh zotin Valteri, por njohja nuk pengon që të kemi apo jo respekt për njerëzit publik.
Unë di se prej shumë vitesh, qysh para vitit 2011 e deri sa u nda nga jeta në 5 maj të këtij viti babai im ka qenë i papunë dhe pa kontakte me politikanë të rangjeve të larta. Kontaktet që ka pasur ishin harruar që në vitin 2005, kur zgjedhjet e përgjithshme e formatuan ndryshe qeverisjen. Babai im Luani, dinte shumë dhe fliste pak për shkak të integritetit të tij moral dhe profesional, ndaj është mire të respektojmë ata që nuk janë më në këtë jetë.’- shkruan Pobrati.