Të gjitha llogaritë bankare dhe transaksionet që Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë përgjatë dekadës së fundit janë vënë nën lupën e SPAK. Pas shkresave për informacion drejtuar bankave për të mesuar të gjitha transaksionet që ka bërë LSI, dy prokurorët, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, që po hetojnë ish presidentin, të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe nga KQZ.
Burime për Fax News bëjnë me dije se SPAK i ka dërguar një shkresë të dytë KQZ-së, ku këtij institucioni i kërkohet informacion i plotë për të gjitha bilancet finaciare të LSI-së. Shkresa është dërguar në kuadrin e dyshimeve se pagesat për lobimin në SHBA nuk janë transparente. Ndërkohë, SPAK i ka kërkuar informacion KQZ-së edhe për auditimet që i janë bërë LSI-së. Ndërkohë gjatë kësaj jave pritet që prokurorët Kraja e Kllapi me anë të letërporosive të kerkojnë informacion në Departamentin e Drejtësisë Amerikane dhe Autoriteteve te Qipros lidhur me kallëzimin e Halit Valterit, sipas të cilit, për lobimin e LSI-së, në SHBA, ku dyshohet se janë shpenzuar 700 mijë dollarë.
Fillimisht lekët kanë shkuar në Qipro më pas në SHBA, që ish presidenti të zhvillonte atje takime me biznesmenët. Ndërsa në SHBA, SPAK do kërkojë informacion për mënyrën si është paguar McKeon Group , kompania që sipas Halit Valterit ka caktuar takimet e kryera nga Ilir Meta në 2017. Pas mbërritjes së pergjigjeve të dy letërporosive, pritet që gjatë mujit shtator e gjithë kupola e LSI-së të shkojë në prokurorinë e posaçme për tu pyetur lidhur me këtë çështje.