Nga Bled Lumani
E gjithë mbrojtja e Ilir Metës dhe enturazhit të tij politiko-mediatik, pas nisjes së hetimeve nga ana e SPAK, është përqendruar tek përpjekja për t’u paraqitur si viktimë e një sulmi politik, të dirigjuar nga Edi Rama.
Dhe si argumente sillen fjalimet e Edi Ramës, që i kërkonte llogari SPAK-ut pse hetonte e arrestonte vetëm socialistët dhe nuk hetonte këta “non grata”-t, apo se hetimi ndaj Metës nisi pikërisht pas përfundimit të mandatit si president dhe luftës që ai i shpalli Ramës, se në shtator do ta rrëzonte nga pushteti.
Pastaj thonë se SPAK nuk nis hetimet për aferën e inceneratorëve, por merret me Ilir Metën, pasi sipas tyre, kjo është më e rëndë nga ajo që ka bërë Meta, a thua se një milionë dollarë për të cilat akuzohet ish-presidenti, janë para xhepi dhe mund të kalonte lehtë edhe këtë radhë.
Tani këto argumente edhe mund të qendronin, nëse personi në fjalë nuk do të quhej Ilir Meta, njeriu që për 30 vite në politike ka pasur veç skandale dhe afera tronditëse, për të cilat sot ai do të ishte në burg, jo duke na u shfaqur si viktimë e një sulmi politik.
Viktimë është një njeri i pafajshëm, të cilit po i bëhet një padrejtësi, jo Ilir Meta, që dosjen me akuza dhe afera e ka sa një mal, madje dhe me zë e figurë, si në rastin e videos së famshme me Dritan Priftin.
Pse nisën hetimet tani? Kjo nuk ka asnjë rëndësi!
Pyetja që duhet bërë, është nëse Ilir Meta është fajtor apo jo, për ato që akuzohet.
Nëse po, le të shkojë në burg, nëse jo, aq më mirë për të, pasi do të pastrohej nga akuzat.
Por të thuash se ai është viktimë e sistemit të drejtësisë, që e kontrolloka Edi Rama, është për të qeshur, pasi është pikërisht ky sistem që e ka mbajtur Metën larg burgut deri më tani.
Aq më tepër pastaj kur sjellin si argument, pretendimin se Edi Rama është më i korruptuar se Ilir Meta, ndaj dhe fillimisht duhet të nisin hetimet për të, pastaj për Metën!
Epo fakti se Edi Rama mund të jetë më i korruptuar se Ilir Meta, nuk është argument për ta mbrojtur, përkundrazi.
Nuk mund të shfajësohet, duke thënë se Rama është më i korruptuar se ai.
Kjo nuk e shpëton, se këtu nuk jemi në garë kush është më i korruptuar.
Ose është i korruptuar, ose jo. Pastaj se kush ka vjedhur më shumë, e vendos gjykata, nëse do shkojnë ndonjëherë para saj!