Në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”, Bobo Vieri ka folur për futbollin, padelin dhe femrat. “Me Coco-n (Costanza Caracciolo ) ndryshova, sapo kisha dalë nga një lidhje tjetër, jetoja në Miami dhe thashë me vete: Bobo je 44 vjeç, rri vetëm, argëtohu, shko me dy-tri shoqe.

Costanza e njihja që atëherë…, – tha ai duke folur për gruan aktuale, me të cilën u martua në fshehtësi të madhe në mars 2019, në Bashki dhe në prani të vetëm dy dëshmitarëve. – Me Coco gjithçka ndodhi pa mundim, pa menduar. Ne gjetëm njëri-tjetrin dhe pas tre muajsh vendosëm të kishim një fëmijë. Pesë vjet më vonë, ja ku jemi. Unë jam pjekur.

Është e vështirë të shpjegohet se si dikush e kupton se është gati për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe fëmijë. Thjesht, me Coco-n jam mirë. Nuk kam nevojë për asgjë. Më së paku për të planifikuar. Mua më mohohet programimi, më duhet të jetoj të përditshmen. Në më pak se dy vite jam bërë babai i dy vajzave, që janë gëzimi më i madh i jetës sime. Do ta falënderoj përgjithmonë Coco-n që më dhuroi një familje kaq të bukur”.

Bobo Vieri përsëriti se jeta si një “dashnor latin” është përfundimisht e arkivuar. Ish-futbollisti është i çmendur pas bashkëshortes së tij Costanza Caracciolo dhe vajzave të tij Stella dhe Isabel, të cilat janë përkatësisht 3 dhe 2 vjeçe. Çifti nuk ka ndërmend ta zgjerojë familjen. “Unë jam mirë. Mendoj se edhe Coco është mirë”, – tha ish-sulmuesi.

Në jetën e re të Bobo Vierit ka shumë hapësirë për familjen, por edhe për padelin. “Tenisi kërkon teknikë, padeli jo. Ne futbollistët që vrapojmë për 20 vite, sapo ndalojmë shtojmë peshë. Vrapim? Do shumë vullnet. Palestra? Sa e mërzitshme. Padeli, nga ana tjetër, është një sfidë që ta merr mendjen. Argëtohu dhe djersij, – shpjegoi Vieri. – Ronaldo erdhi nga Ibiza në Formentera për të luajtur me ne. Gratë jashtë për darkë dhe ne në fushë nga ora 22:30 deri në mesnatë”.

Disa fjalë edhe për futbollin: “Cili është sulmuesi më i fortë ndonjëherë? Messi është më i fortë se Maradona dhe Cristiano vjen pas Ronaldos së Interit. Mund të mos jeni dakord, por nëse të gjithë do të ishim gjithmonë dakord, çfarë kuptimi do të kishte. Këtë vit Interi do të fitojë titullin. Manchester City do të fitojë Ligën e Kampionëve. Haaland do të shënojë të paktën 40 gola dhe Guardiola është trajneri më i mirë ndonjëherë”.