Investimet në vepra publike, veçanërisht në zonat turistike të vendit, janë një vlerë e shtuar në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe të turizmit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale, foto nga puna që po kryhet për rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm në Valbonë.
“Në grykën e Valbonës, ku po mbështesim rritjen e kapaciteteve të turizmit malor pas ndërtimit të rrugës së re, po shkon drejt përfundimit edhe puna për rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm”, shkroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, gjithashtu po vijon puna edhe në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza bashkë me impiantin e trajtimit të tyre, që do të sigurojnë mosprekjen e kaltërsisë së mahnitshme të lumit nga ndotja.
“Ndërkohë e Valbonës është një ndër zonat që merr përparësi të plotë në zhvillimin e turizmit”, u shpreh Rama.
Valbona, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve, me malet e luginat mbresëlënëse, është një ndër zonat më të frekuentuara nga turistët vendas e të huaj.
Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.
Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqime tradicionale, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka duhet dhe një peizazh stinor mahnitës.
Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.
Njëra kalon nga Kukësi, Hasi, Tropoja e Vjetër, Valbona dhe tjetra nga Prizreni, Gjakova, Valbonë.