Irani ka mohuar “kategorikisht” çdo lidhje me sulmuesin e Salman Rushdie – por fajësoi vetë shkrimtarin. Rushdie, 75 vjeç, mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me thikë në skenë në një ngjarje në shtetin e Nju Jorkut. Ai është përballur me vite të tëra me kërcënime me vdekje për romanin e tij Vargjet Satanike.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Nasser Kanaani mohoi çdo lidhje, duke shtuar se “askush nuk ka të drejtë të akuzojë Republikën Islamike të Iranit”.

Megjithatë, ai tha se liria e fjalës nuk e justifikon Rushdie dhe fyerjen e fesë në shkrimin e tij.

“Në këtë sulm, ne nuk e konsiderojmë askënd tjetër përveç Salman Rushdie dhe mbështetësve të tij,” tha zëdhënësi gjatë konferencës së tij javore për shtyp në Teheran.

Irani nuk kishte asnjë informacion tjetër për sulmuesin e Rushdie përveç asaj që është shfaqur në media, shtoi ai.

Më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, akuzoi mediat shtetërore të Iranit se lavdëruan sulmin.

Mediat iraniane e kanë komentuar gjerësisht sulmin ndaj shkrimtarit , duke e quajtur atë “shpagim hyjnor”; E përditshmja transmetuese shtetërore e Iranit Jaam-e Jam nënvizoi lajmin se Rushdie mund të humbasë një sy pas sulmit, duke thënë se “një sy i Satanit është verbuar”.