Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka sqaruar propozimet për ndryshimet ligjore, që prekin çështjen e fundit me Autoritetin e Dosjeve.
Balla u shpreh se nismat janë depozituar me qëllim heqjen e pengesave për shqyrtimin e pastërtisë së figurës të personave të cilët kanë mbajtur deri tani poste shumë të larta, duke mos përmendur emra.
“Një përmbledhje të të gjithë nismave, janë një paketë. Në fund të korrikut është depozituar një nismë nga grupi i PS për dy ndryshime në dy ligje, njëri për Autoritetin e Dosjes dhe një në lidhje me ligjin për zgjedhjet. Nisma është depozituar pas propozimit nga Autoriteti.Ajo ka nisur për të hedhur dritë mbi pastërtinë e figurave, nisur nga rasti i evidentuar tashmë për një politikan të nivelit të lartë që ka mbajtur pozicione shumë të rëndësishme në Shqipëri dhe që mbi këtë politikan kanë rezultuar dokumente të reja shtesë e ekzistojnë disa pengesa nga ligji aktual për vijimin e shqyrtimit të pastërtisë së figurës.
Në Shqipëri në 30 vite ka pasur raste të tjera të cilat kanë arritur ti shmangen përgjegjësisë morale e jo vetëm e të arrijnë në herarkinë më të lartë shtetërore, duke dëmtuar jetën e shumë personave që kanë vuajtur krimet e Sigurimit
Jo vetëm që këto fakte duhen bërë publike, por të pamundësojmë vazhdimin e ngjitjes së tyre në karrierë dhe hierarki dhe të pamundësohet kandidimi i tyre si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Ky është draft pune”, tha ai.
Balla foli edhe për shtetasin me inicialet I.M, për të cilin tha se konfirmon që në dokumentin e mbërritur në Kuvend, ka informacione të pa bëra publike.
“Kryetari i Kuvendit më 26 korrik kur mori informacioni, i ka vënë në dispozicion kryetarëve të grupeve parlamentare.
Për I.M i cili deri në 24 korrik ka mbajtur postin e Presidentin ka dokumente të tjera të pa bëra publike që e lidhin me aktivitet në bashkëpunim me Sigurimin. E konfirmoj që kjo gjë rezulton në atë dokument dhe i takon Kuvendit që kërkesa e ardhur për ndryshime të ligjit të adresohet në kohë sa më të shpejtë që pengesat të bien dhe të mos pengohet transparenca.
Vetë personi të kërkojë dosjen, mund ta kishte bërë gjithë këto ditë. Dokumenti ka ardhur në Kuvend dhe me të janë njohur grupet parlamentare
Gërdufja dhe dalja nga vetja konfirmojnë që fakti që je aq i emocionuar e mbushur një problem e ke, se nuk je kot”, tha ai.
Mes të tjerash Balla u ndal dhe te vendimi i SHBA dhe i Britanisë së Madhe për ish-kryeministrin Berisha, që e shpallën kreun e PD non-grata.
“Non-grata është marrë Nga SHBA dhe nga Britania dhe qëllimi ynë është i qartë; i takon organeve të drejtësisë. I bëj thirrje SPAK që në dritën e akuzave të ngritura nga SHBA dhe së fundmi nga letra që i është dorëzuar Berishës nga Britania e Madhe, unë mendoj që është koha e përshtatshme dhe në rastin tjetër janë bërë publike edhe elementet korruptive dhe lidhjeve të tij politike që i takojnë drejtësisë. Kjo nuk është çështje që adresohet në këtë paketë. Sa i përket asaj që kam thënë është se vazhdoj të mendoj se Berisha është përfaqësues i lartë i Partisë së Punës. Drejtësia të nisë”, pohoi ai.