Guvernatori Gavin Newsom shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në Kaliforni për shkak të përhapjes së virusit të lisë së majmunit, në mënyrë që të forcojë përpjekjet e shtetit për vaksinim.
“Kalifornia po punon urgjentisht në të gjitha nivelet e qeverisjes për të ngadalësuar përhapjen e lisë së majmunëve, duke shfrytëzuar testimin tonë të fuqishëm, gjurmimin e kontakteve dhe partneritetet e komunitetit të forcuara gjatë pandemisë për të siguruar që ata më të rrezikuarit të jenë fokusi ynë për vaksinat, trajtimin dhe shtrirjen”, tha Newsom. Gati 800 raste të lisë së majmunëve janë konfirmuar në Kaliforni, sipas të dhënave më të fundit të publikuara të enjten nga Departamenti i Shëndetit Publik të Kalifornisë.
Ai shtoi se 98,3% e këtyre rasteve u konfirmuan te meshkujt, shumica e të cilëve identifikohen si pjesë e komunitetit LGBTQ.Shpallja e bën më të lehtë për shtetin të koordinojë përgjigjen e tij ndaj shpërthimit dhe lejon punonjësit e shëndetësisë që të administrojnë vaksinat. Kalifornia ka shpërndarë më shumë se 25 000 doza të vaksinës nga gjithsej 61 000 doza të marra deri më sot. Vaksina ”Jynneos” në veçanti mbetet në mungesë në të gjithë vendin.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë federale për të siguruar më shumë vaksina, për të rritur ndërgjegjësimin për reduktimin e rrezikut dhe për të qëndruar me komunitetin LGBTQ që lufton stigmatizimin”, tha Newsom. Simptomat e lisë së majmunit janë të ngjashme me linë, edhe pse zakonisht më të lehta. Të infektuarit nga virusi fillimisht kanë ethe, dhimbje, ënjtje të nyjeve limfatike, të dridhura dhe rraskapitje. Më vonë ata zhvillojnë një skuqje, që zakonisht fillon në fytyrë dhe më pas përhapet, duke u kthyer në plagë të mbushura me qelb, para se të bien.