Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë një përmbledhje të angazhimit të Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në një përgjigje për Gazetën Express, gjermanët kanë konfirmuar se Kancelari Scholz do t’i ftojë Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç për takim në Berlin, me ndërmjetësim të tij.
Në telefonatat që i shkonin Kryeministrit Albin Kurti e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit dhe përfshirja publike e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë në takimin e 18 gushtit, nuk përmendej Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për dialogun Kosovë – Serbi, Manuel Sarrazin, as Gjermanisë në përgjithësi.
Megjithatë, Gjermania është aktivisht e përfshirë në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi dhe është në kontakt me përfaqësuesit e caktuar nga Bashkimi Evropian dhe emisari amerikan, Gabriel Escobarin, thotë Ambasada gjermane në Prishtinë, në një përgjigje dhënë Gazetës Express.
“Qeveria Federale, përfshirë Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, e përkrah plotësisht procesin e dialogut, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përpjekjet proaktive të Përfaqësuesit të Lartë të BE-s, Josep Borrell dhe gjithashtu Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcakun. Përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale është në kontakt të rregullt me të dy ata dhe poashtu edhe me Emisarin Special amerikan, Escobar, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të besueshme, sic është parë nga vizita e tij e fundit në Uashington. Ai po ashtu është në kontakt të ngushtë me negociatorët kosovare dhe serbë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Angazhimin e Gjermanisë në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, ambasada e përshkruan, duke rikujtuar ftesat e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz për Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, e më pas vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd.
“Qeveria Federale ka qenë e përfshirë aktivisht prej kohësh në këtë çështje dhe vazhdon të jetë. Rishtas, në majin e këtij viti, Kancelari Scholz ftoi Presidentin Vuçiç, Kryeministrin Kurti dhe Perfaqësuesin Special Lajcak, në Berlin, dhe, në qershor vizitoi Serbinë dhe Kosovën, ndërsa Ministri i Jashtëm i kishte vizituar në mars”.